Kadri Veseli, ky shpëtimtari i kombit nga vëllavrasja dhe gjakderdhjet!!!?

Lajme

Kadri Veseli, ky shpëtimtari i kombit nga vëllavrasja dhe gjakderdhjet!!!?

Nga: Shkruan: Idriz Morina Më: 29 nëntor 2015 Në ora: 12:56

Ish shefi i shërbimit informativ të Kosovës, dhe tani kryetar i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, është munduar që ta trondit opinionin me disa të vërteta të mëdha, sipas tij të vlerave absolute.
Natyrisht që qëllimit nuk ia arriti, por deklaratat e tij ‘shokuese’ mbetën jashtë vlerësimit.
Kadri Veseli në një intervistë televizive, u paraqit si një udhëheqës i një trupe inteligjente, që ka kryer vetëm të mira, dobi për atdheun, ndërsa të këqijat vinin nga të tjerët, të cilët nuk tregoi se kush ishin.
Por, ai pasi e shpëtoj vendin prej luftës vëllavrasëse me SHIK-un e tij deri më 2003 (siç thotë ai), nuk ia doli dot që të na shpëtonte nga trazirat e marsit të 2004-ës. A thua cili është shpjegimi i tij?
Në fakt, janë trazirat e marsit të 2004-ës, tek e cila politika ndërkombëtare gjeti boshllëk ‘politik’ që të na fuste në bisedime të përhershme me Beogradin.
Ishin trazirat e marsit ato që rrënuan procesin e pavarësimit të shpejtë të Kosovës, dhe në emër të tyre u miratua edhe Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila na solli këtu ku jemi, tek bisedimet dhe kompromiset me Serbinë.
Pra, nëse ky ishte vullneti dhe puna për tu krenuar e Kadri Veselit, PDK-së dhe Hashim Thaçit, atëherë ne të tjerët duhet të ndihemi të turpëruar, nga këta çfarë kanë bërë engjëjt mbrojtës të Kosovës.
Por, nëse SHIK-u na mbrojti nga vëllavrasja atëherë, ai e din se kush ishin ata që vrisnin. Nëse e din se kush ishin vrasësit, pse nuk i dërgon emrat dhe provat në drejtësi?! Nëse e din se kush ishin vrasësit, e din edhe kush ishin porositësit e tyre! Nëse e din kush ishin porositësit e tyre duhet të dëshmojë se kush ishte dhe është në politikë?! Nëse e din se kush janë këta politikanë dhe janë në politikë, atëherë ky është krim tjetër i SHIK-ut, e pra edhe i Kadri Veselit?!
Pra, Kadri Veseli vetëm se po argumenton se i ka borxh familjeve të viktimave të vrasjeve politike, dhe se i ka borxh tërë Kosovës ti zbulojë këto të vërteta.
Madje edhe ngjarjet e djeshme kanë meritë jo të pakët të Veselit. Ishte ai që në vazhdimësi flirtonte me opozitën për bojkotimin e punës së Kuvendit, dhe rrëzimin eventual të Qeverisë. Ndërsa, përgjakja dhe ndërhyrja e djeshme e policisë në Vetëvendosje, po shikohet prej disa analistëve si fitore e Kadri Veselit ndaj dy partnerëve në qeverisje, Thaçi-Mustafa.
Kjo pasi në kohën sa mbahej i bllokuar Kuvendi, vlerësohej se Veseli ishte më i fuqishëm se Thaçi në ato zhvillime, dhe që nga zhbllokimi i punës së Kuvendit (në sallën e improvizuar) pozitat e Veselit dukeshin të dëmtuara dhe thuajse i humbur.
Tanimë me situatën e re të krijuar, arrestimin e Albin Kurtit dhe të rreth 100 aktivistëve të Vetëvendosjes, dhe mbajtjen në paraburgim të dhjetëra të tjerëve, Veseli ka shtuar argumentet në raport me perëndimin se qeverisja po e komprometon demokracinë e brendshme.
Pra, mbetet vetëm të na shpjegoj pas disa kohe, nëse edhe dje në ditën e festës së shenjtë kombëtare shqiptare, se a na shpëtoi nga vëllavrasja apo gjakderdhja.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat