Studentët në përkrahje të manifestimit të opozitës

Lajme

Studentët në përkrahje të manifestimit të opozitës

Më: 27 nëntor 2015 Në ora: 13:10

Përmes një komunikate të përbashkët për mediat, gjashtë organizata studentore hapur kanë përkrahur manifestimin e nesërm paqësor të organizuar nga partitë opozitare kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi.

“Duke pasur parasysh gjendjen e rëndë nëpër të cilën po kalon Republika jonë, jemi të vetëdijshëm që ne studentët nuk mund të jemi indiferent e të mos shprehim vullnetin tonë. Agresioni i Serbisë ndaj Kosovës i shprehur përmes dy marrëveshjeve të fundit po e cungon jetën e qytetarëve të Kosovës përfshi edhe neve, studentëve. Me këto marrëveshje, përpos që po i falet tokë Malit të Zi, po lejohet edhe ndarja etnike e territorit të Kosovës dhe e Universitetit të Prishtinës, gjë të cilën ne nuk do ta lejojmë”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, për këtë arsye që të gjashtë organizatat bëjnë thirrje që më 28 nëntor, përfaqësues të studentëve të Universitetit të Prishtinës ta përkrahin masivisht tubimin paqësor në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke bërë thirrje që të gjithë studentët të bashkohen në manifestim për Republikën, siç e kanë quajtur ata.

Organizatat pëkrahëse janë:USPE – Unioni i pavarur proevropian, RENP - Reforma ne Proces, FER- Fryma e re studentore, SKV- Lëvizja studentore për barazi- Studim Kritikë Veprim, LSI- Lista studentore për Integrim , USSH- Unioni i studentëve shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat