Prokuroria Speciale: Badivuku duhet të kthehet në burg

Lajme

Prokuroria Speciale: Badivuku duhet të kthehet në burg

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 18:39

(E plotësuar)-Pak minuta pas publikimit të lajmit se Prokurorja e Mitrovicës Vahide Badivuku është liruar nga paraburgimi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka paralajmëruar se do t’i kërkojë gjykatës që Badivukun ta kthejë në paraburgim.

Admir Shala, prokuror special në një prononcim për Kallxo ka paralajmëruar ankesë ndaj vendimit të sotëm të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
“Sapo ta marr vendimin e gjykatës do t’i drejtohem Gjykatës së Apelit me kërkesë që Badivuku të kthehet në paraburgim”, ka thënë Shala.

Ai është shprehur se edhe gjatë seancës së sotme e kishte kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes për lirimin e Badivukut.
Prokurorja e Mitrovicës u la e lirë sot me vendim të gjykatës së Prishtinës pas qëndrimit tremujor në paraburgim.

Badivuku ishte arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet se mori mito një shumë parash për lirimin e disa makinave të sekuestruara gjatë një operacioni antifajde.

Lirohet prokurorja Vahide Badivuku: Paraburgimi i zëvendësohet me dorëzani prej 10 mijë eurove

Në orët e pasdites, nga Burgu i Lypjanit është liruar prokurorja Vahide Badivuku.
Kallxo raporton se e kanë parë Badivukun duke dalë nga burgu i Lypjanit, ku ajo po mbahej që nga arrestimi i saj në gusht të këtij viti, nën dyshimet se kishte marrë mito.

Lajmi për lirimin është konfirmuar edhe nga mbrojtja e Badivukut.

Avokatja Albana Kelmendi tha se Badivuku është liruar me dorëzani, masë kjo e lejuar me Kodin Penal të Kosovës.

“Masa e paraburgimit është zëvendësuar me dorëzaninë e 10 mijë eurove dhe i janë konfiskuar dy pasaportat e saj”, ka thënë Kelmendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat