Nënpresidenti Biden në Zagreb

Lajme

Nënpresidenti Biden në Zagreb

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 17:41

Nënpresidenti amerikan, Joe Biden, tha të mërkurën në Zagreb se Ballkani është i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara. Nënpresidenti Biden po merr pjesë në samitin Bërdo-Brioni, që është një nismë e përbashkët e presidentëve të Sllovenisë dhe Kroacisë për të ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimeve evropiane.

Zoti Biden e vlerësoi nismën duke thënë se, po arrin të mbledhë rreth së njëjtës tryezë të gjithë presidentët e shteteve të rajonit.

"Për Shtetet e Bashkuara, për mua dhe për presidentin e Shteteve të Bashkuara, ky rajon gjatë 25 viteve të fundit ka një rëndësie të posaçme”, u tha gazetarëve në Zagreb nënpresidenti Biden, pas takimit me presidentin slloven Borut Pahor.

Për vëzhguesit në Ballkan, prania e zotit Biden në takimin e Zagrebit, ku përveç vendeve të dala nga ish Jugosllavia po merr pjesë edhe Shqipëria, është dëshmi e përtëritjes së interesit të Shteteve te Bashkuara për rajonin, një pjesë e vendeve të të cilit po përballen me tensione për shkak të krizës së migrantëve nga Lindja e Mesme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat