Lëvizja e re Demokristiane mbështet opozitën

Lajme

Lëvizja e re Demokristiane mbështet opozitën

Më: 25 nëntor 2015 Në ora: 08:40

Lëvizja e Re Demokristiane, duke i konsideruar të drejta qëndrimet e tri partive opozitare dhe shqetësimet e qytetarëve për gjendjen e krijuar në Kosovë, ka vendosur që të merr pjesë në manifestimin për Republikën.

LRD-ja, përmes një komunikate për media fton aktivistët, anëtarësinë dhe simpatizantët që t’u bashkohen në manifestimin e 28 nëntorit.

“LRD-ja fton aktivistët, anëtarësinë dhe simpatizantët që me datën 28 Nëntor 2015, ora 14:00, në Sheshin Zahir Pjaziti, Prishtinë, të marrim pjesë sa më masovikisht, të gjithë së bashku të manifestojmë qëndrimin tonë në mbrojtje të territorit të Kosovës, kundër marrëveshjes së Qeverisë për “Zajednicën” serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi”, thuhet në komunikatë.

LRD deklarohet përmes kësaj komunikate se manifestimi do të mbahet pa asnjë element të dhunës dhe pa ngjyra partiake. Ata thonë se kjo madje nuk është as në përkrahje të ndonjë lideri apo subjekti politik por në mbrojtje të Republikës së Kosovës, për Kosovën shtet sovran dhe të barabartë me të gjithë.

“LRD-ja me kohë ka vlerësuar dhe ka ngritur zërin se marrëveshjet e Qeverisë me Serbinë dhe Malin e Zi janë shumë të dëmshme dhe nuk duhet lejuar, andaj qëndrimin tonë ta shprehim përmes manifestimit që organizohet me 28 Nëntor 2015”, thuhet në këtë komunikatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat