Shoqata e turqve në Serbi, dorë e zgjatur e Qeverisë serbe: A po trillohet kjo pakicë në Sanxhak!?

Lajme

Shoqata e turqve në Serbi, dorë e zgjatur e Qeverisë serbe: A po trillohet kjo pakicë në Sanxhak!?

Më: 1 gusht 2015 Në ora: 19:32

Shoqata e Turqve në Serbi, u bën thirrje boshnjakëve në Sanxhak që të mbledhin nënshkrime për formimin e pakicës turke. Boshnjakët, të cilët pranojnë të jenë pjesë e këtij projekti, janë të detyruar të heqin dorë nga identiteti i tyre dhe të deklarohen si pjesëtarë të pakicës turke.

Krerët e shoqatës arsyetohen se në këtë mënyrë bëhet përafrimi me popullin boshnjakë të Turqisë, duke premtuar se pas këtij projekti dhe përmes shoqatës do të fillojnë investimet nga Turqia në Sanxhak.

Por, prapa kësaj shoqate qëndron Qeveria lokale në Novi Pazar të cilën e udhëheqë SDP e Rasim Lajiqit. Siç raportojnë mediat lokale në Sanxhak, kryetari i shoqatës, Alo Nemac, është bashkëpunëtor i ngushtë i Lajiqit.

Po ashtu, në këtë qytet shpejt është përhapur lajmi se bëhet fjalë për një aktivitet të dyshimtë. Disa media kanë raportuar se qëllimi kryesor i mbledhjes së nënshkrimeve për formimin e Këshilli Kombëtar të Turqve është përfitimi ekonomik i udhëheqësve të shoqatës.

Historiani dhe nënkryetari i Këshillit Kombëtar Boshnjak (BNV), Rexhep Shkrijel, nuk dëshiron të komentojë nëse kjo shoqatë ka qëllime të fshehura, por thotë se sigurisht se ka disa arsye që njerëzit nga ky rajon mund të deklarohen si turq.

Diku rreth 40 vjet më parë, 10 për qind e popullsisë së Novi Pazarit kanë folur rrjedhshëm gjuhën turke kurse para kësaj kohe, sipas Shkrijelit, ka patur edhe më shumë.

“Ka shumë të ardhur në këto treva nga Turqia, siç dëshmojnë mbiemrat e tyre”, thotë ai. “Mjaft njerëz nga këto vise kanë qëndruar në Turqi, kanë shërbyer në Ushtrinë turke, kanë punuar atje, dhe janë kthyer në Sanxhak. Gjuha me kalimin e viteve harrohet, por identiteti mbetet”, ka deklaruar Shkrijel, duke shtuar se edhe gruaja e tij është turke dhe se fëmijët e tij deklarohen si turq.

Kohë më parë, kur u ngrit pluhur i madh në lidhje me personalitetin e Aqif Blytës, profesori i nderuar kishte dhënë një deklaratë, e cila kishte tërbuar shumë kënd në Sanxhak dhe Serbi, duke thënë: Boshnjakët e Sanxhakut janë krenarë për prejardhjen e tyre shqiptare.

“Popullata e Sanxhakut kurrë nuk e ka mohuar përkatësinë kombëtare të prijësit më të shquar të tyre, Aqif Blytës, i cili veproi për këtë popull që nga formimi i Xhemijetit e deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Ka ardhur momenti që t’ia bëjmë me dije shtetit serb se shumica e popullsisë së Sanxhakut janë me prejardhje shqiptare dhe këtë të vërtetë ata nuk e mohojnë.”

Në anën tjetër, kryetari i KKB dhe lider i SDA së Sanxhakut, Sulejman Uglanin, këtë iniciativë të Shoqatës të Turqve e sheh si truk të nacionalistëve serbë dhe të forcave serbomëdha. Uglanin ka deklaruar se “dëshira e tyre është që t’i përçajë boshnjakët, ta zvogëlojnë forcën e tyre dhe t’i parandalojnë ata që të ushtrojnë të drejtat e tyre”.

Thirrjes së qytetarëve që të deklarohen si turq e kanë dënuar edhe mediat elektronike të afërta me Myftiun e Sanxhakut, Muamer Zukorliqin. Në shkrimet e tyre thuhet se boshnjakët në këtë mënyrë do të humbasin identitetin e tyre kombëtar dhe një gjë e tillë do të qoj në ndarjen e tyre të mëtejmë./telegrafi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat