Ish-kryeministri italian: Paratë për Greqinë i morën bankat gjermane!

Lajme

Ish-kryeministri italian: Paratë për Greqinë i morën bankat gjermane!

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 20:00

Thuhet: ‘Ne paguajmë pensionet e grekëve’. Jo! Ne paguajmë bankat gjermane, dhe këtyre parave grekët nuk iu marrin as erë”. Me këto fjalë përfundonte intervista e Massimo D’Alema për RaiNews24 e cila po bën namin gjatë këtyre orëve në rrjetet sociale, duke mbushur profilet e përdoruesve të Facebook.

Ish-kryeministri i Italisë ishte ftuar nga kanali all-news i Rai-t për të komentuar thirrjen, të cilën e ka nënshkruar ndërmjet personaliteteve të tjera Nobelistët Stiglitz dhe Krugman, për t’i kërkuar autoriteteve europiane më tepër fleksibilitet për borxhin grek dhe për politikat e masave shtrënguese. D’Alema e mbyllte intervistën e tij me një shembull, për të dëshmuar përse një bashkim monetar nuk mund të funksionojë pa një buxhet të përbashkët dhe përse pabarazitë mes vendeve të pasura dhe të varfëra kanë gjasa të shtohen pa një bashkim politik.

“Në Gjermani kostoja e parasë është tepër e ulët”, shpjegoi D’Alema, “kështu që bankat gjermane grumbullojnë para me një kosto thuajse zero. Me ato para blejnë titujt e Greqisë, e cila duke qenë një vend në rrezik paguan përqindje tepër të larta, 15%. Në këtë mënyrë përfitojnë një mal me para”. Me fjalë të tjera, përmes ndryshimit të normës së interesit, “burime të mëdha transferohen nga një vend i varfër, Greqia, te një vend i pasur, Gjermania. Vendi i varfër varfërohet gjithnjë e më shumë, vendi i pasur avantazhohet gjithnjë e më shumë”./mapo

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat