Takimi Rama-Vuçiq: Cila do jetë zgjidhja për “Shqipërinë e Madhe” dhe Maqedoninë?

Lajme

Takimi Rama-Vuçiq: Cila do jetë zgjidhja për “Shqipërinë e Madhe” dhe Maqedoninë?

Nga: Nehat SHAQIRI Më: 27 maj 2015 Në ora: 11:10

Sot Republikën e Shqipërisë e viziton kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq. Kjo është vizita e parë e një kreu të qeverisë serbe në Shqipëri, gjë që ka bërë që të rrit në maksimum masat e sigurisë të marra nga forcat e rendit.

Kjo vizitë e Vuçiqit vjen, pas asaj që kryeministri Rama e vizitoi Beogradin më 10 nëntor nën frymën e tensionuar që solli incidenti i ndeshjes së futbollit për kualifikimin në Euro 2016 mes Serbisë dhe Shqipërisë. Rama ishte gjithashtu lideri i parë shqiptar që vizitoi Serbinë që nga vizita e diktatorit Hoxha në vitin 1946.

Kryeministria Rama ka theksuar se, Shqipëria dhe Serbia mund të bëjnë për Ballkanin atë që kanë bërë Franca dhe Gjermania për Evropën pas Luftës së Dytë Botërore.

E në anën tjetër, Vuçiq dje ka theksuar se, Shqipëria e Madhe nuk është ideja e se ardhmes dhe në Tiranë nuk do të provokohet askush. Kryeministri serb, tha se marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, kontribuojnë në stabilitetin e Ballkanit. Në këtë pike, Vuçiq përmendi, se Serbia përfiton nga stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe përmirësimi i marrëdhënieve me palën shqiptare.

Aleksandër Vuçiq ka pasur disa përplasje me homologun e tij shqiptar, i cili gjatë vizitës në Beograd ka deklaruar se pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm.

Ndërsa, tash problemi kryesor është gjetja e një zgjidhje për krizën në Maqedoni. Por, presim edhe nga kryeministri Rama që, t’i kundërpërgjigjet Vuçiqit për çështjen e Shqipërisë së Madhe.

Njohësi i çështjeve politike, Nijazi Muhamedi, pohon se, kriza politike në Maqedoni është e thellë si krizë politike dhe si krizë e demokracisë, ndaj edhe zgjidhja e saj është përgjegjësi e faktorëve të brendshëm politikë, e atyre që e kanë shkaktuar dhe e atyre që duan ta zgjidhin në përputhje me principet e legalitetit kushtetues dhe të legjitimitetit gjer në shkallën e shpalljes së zgjedhjeve të lira për t’ia hapur sheshin verdiktit të popullit për t’i dhënë fund kësaj.

“Ajo nuk është krizë rajonale që të involvojë në zgjidhjen e saj edhe ndonjë faktori gjeopolitik të pa thirrur, sikundër është Serbia, e cila donë t’i krijojë rast vetes për ta spostuar këtë krizë në një drejtim të interesave të tinëzuar gjeopolitike ruso-serbe, ndaj edhe kujtoj se përgjigjen refuzuese ndaj Serbisë me këtë rast kryeministri shqiptar e ka në majë të gjuhës. Është e kuptueshme poashtu se në turbullirën e ngjarjeve përtej skandalit të përgjimeve, Serbia dhe regjimi i Gruevskit i kanë pasë të puqura pipëzat në kurthin e tyre ndaj shqiptarëve, si e pranoi edhe vetë Serbia, dhe se ndërliqja e Serbisë në këto ngjarje turbullonjëse ka pasë si synim pikërisht shpëtimin e Gruevskit; për të bërë mandej përpjekje për ndryshimin e itinerarit turbullonjes në hapësirën gjeopolitike dhe gjeostrategjike shqiptare”, thotë Muhamedi për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, nga pala shqiptare, dhe këtë duhet ta dimë përfundimisht, Maqedonia duhet shikuar në prizmin e interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike shqiptare dhe të partnerëve të saj, sepse ky vend është me interes vital dhe të pacenueshëm gjeostrategjik të SHBA-së, njësoj sikundër është edhe Kosova.

“Janë këto interesa që luajnë rolin e pajtorit në sigurinë rajonale dhe jo vetëm rajonale të saj dhe nuk janë as sytë e larmë të shqiptarëve, as sytë e gështenjtë të maqedonasve që mund të ruajnë apo mund ta prishin atë, aq sa e njohim raportin e SHBA-ve ndaj saj. Së këndejmi, çdo ndërliqje e shqiptarëve në cenimin e këtij interesi strategjik të SHBA-së, mund të godasë kredibilitetin e shqiptarëve si partner i tyre dhe i aleancës veri-atlantike. Ndërkaq, ky rol pajtori i tyre ndaj Maqedonisë nuk i pengon fare interesat e shqiptarëve që të avancohen politikisht dhe në mënyrë paqësore, si nuk i pengon as të tjerët brenda këtij vendi”, shton ai.

Muhamedi thotë se, ndërmjetës e mediator legjitim dhe konformë strategjisë së jashtme dhe të zgjerimit të Unionit Evropian në këtë krizë është i thirrur të jenë instancat e këtij Unioni, duke përdorur mekanizmat institucionalë dhe politikë të trysnisë së tij ndaj aktorëve të kësaj krize për të pranuar një zgjidhje konsensuale dhe të ekuilibruar në suazat e një dinamike politike dhe demokratike të brendshme.

“Propozimin serb ne e quajmë një propozim të sherrshëm, sepse një precedencë e këtillë nuk kërkohet shumë për “shpëtimin” e Maqedonisë, e cila në këtë krizë nuk kërcënohet që të ndodhë zhbërja e saj. Serbia fsheh një prapavijë që mund të godasë Kosovën, ardhmërinë e saj dhe jo rastësisht këtë propozim e hedh në një kohë kur po e tund faqe opinionit serb dhe atij evropian “planin e ri” të saj për Kosovën dhe për të gjetur alibi të “parashtrimit” të tij në “tryezë ballkanike”. Fantazia e tyre e prishur, mandej, mund të ndërliqte dhe të yshte edhe Greqinë për t’i vënë në tryezë “ballkanike” djallëzitë e saja që po i trazon aktualisht në Shqipëri. Djallin serb, apo ruso-serb, apo serbo-grek me gjithë djallëzitë e tij që hidhet e përhidhet në luftën e saj propagandistike duhet ta shtangojmë larg dhe me mençuri. Fundja, propozimi serb, poqe se nuk hidhet kategorikisht, mund të dalë një sherr i mbrapshtë ballkanik”, pohon Muhamedi.

Ai gjithashtu thotë se, interesimi i Shqipërisë dhe i Kosovës ndaj kësaj krize është legjitim, sepse në dy rrafshe të kësaj krize, si në atë të përgjimeve që shkaktuan këtë krizë, si në ngjarjet e Kumanovës dhe pas saj, përfshirja e tyre, por jo përfshirje ne tavolinë të zgjidhjes së krizës është i pashmangshëm dhe mund të konsiderohen si faktorë që pozitivizojnë ndriçimin dhe zgjidhjen e krizës dhe kanë mekanizmin politik me të cilin mund të ndikojnë, sikundër janë faktorët politikë parlamentar shqiptar.

“Në fakt, ngjarjet e inkursionit policor në Kumanovë, kurthi i mistershëm agjenturor i kurdisjes së tyre, hetimi ndërkombëtar për të zbardhur jo vetëm “të vërtetën e kamufluar” maqedonase (apo maqedonaso-ruso-serbe); por kryesisht edhe të “vërtetën shqiptare” rreth tyre si dhe pertinencën e tyre eventuale në Kosovë dhe në interesat gjeopolitike dhe gjeostrategjike të shqiptarëve dhe të partnerëve të tyre gjeostrategjikë, sikundër janë SHBA-të e Gjermania, rolin shqiptar në këtë krizë e bëjnë të pashmangshëm dhe të dobishëm”, thotë analisti politik Nijazi Muhamedi.

Nndërsa, analisti politik, Blerim Burjani, thekson se, ideja me u marr me deklarata të tilla është në kundërshtim me politikën e BE-së, por edhe të shteteve të NATO-s, kriteret duhet të plotësohen si në njërën si në tjetrën pra si në BE si ne NATO.

“Logjika e konfliktit ka katandisur vendet e rajonit, me këtë tempo çfarë ka filluar është e pa pranueshme për zhvillimin dhe integrimin e rajonit në BE dhe NATO. Perspektiva e Kosovës dhe e Maqedonisë është të behën pjesë e NATO. Atëherë mund të ndalen deklarimet e tilla, të gjitha çështjet e hapura duhet të negociohen, maqedonasit dhe shqiptarët në Maqedoni duhet të gjejnë rrugën e ndërtimit të një shteti qytetar ose kantonizim, për të ndodhë kjo serish duhet ndihmë ndërkombëtare, nëse BE dëshiron të përkrahë konceptin qytetar në Maqedoni dhe SHBA atëherë duhet të ketë dialog të strukturuar për të ardhmen e Maqedonisë, edhe pse kantonizimi institucionale duket se do të ndodhë herët a po vonë, unë shohë një rruge në këtë drejtim për të ndal ndikimin e Serbisë në Maqedoni, ky shtet duhet të hyjë në NATO së bashku me Kosovën, dhe të ndalen intervenimet dhe ngacmimet politike që i bënë Serbia në rajon”, thotë ai.

Ai për gazetën “Bota sot”, thotë se, Shqipëria dhe Kosova duhet të ndihmojnë të lehtësojnë dialogun në Maqedoni dhe të shtensionojnë krizën atje, për momentin Maqedonia është problem në mes vet maqedonasve, andaj duhet sjellur në pajtim me politikat e SHBA dhe BE në rajonin perëndimor nëse dëshirojnë të jenë pjesë e integrimeve euro-atlantike kjo vlen edhe për Serbinë.

Vizitat e kryeministrit Vuçiq do të zgjasë dy ditë dhe do të shoqërohet nga masa të rrepta sigurie. Ai do të takohet me kryeministrin Rama, kreun e kuvendit Ilir Meta, presidentin Bujar Nishani dhe kryebashkiakun e Tiranës Lulzim Basha. Vuçiq do të jetë gjithashtu pjesëmarrës në forumin ekonomik të rajonit që do të zhvillohet në Tiranë në 28 maj.

Vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Beograd vitin e kaluar dhe vizita e kryeministrit serb Aleksandër Vuçiq në Tiranë shihen si pjesë e nxitjes diplomatike Evropiane për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.

Por për shkak të historisë së pasur me intriga, çdo lloj marrëdhënieje mes dy vendeve vijon të shihet me dyshim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat