Në Selanik, te shtëpia e Hasan Prishtinës

Lajme

Në Selanik, te shtëpia e Hasan Prishtinës

Nga: Faruk TASHOLLI Më: 3 maj 2015 Në ora: 16:59

Kosovë, fund prilli, ditë me shi. Ime shoqe, Xhevahirja, me pyet në jam i gatshëm ta vizitojmë Selanikun. Po, i them, pa hezituar, Ajo ka hasur në disa shkrime se mu në qendër të Selanikut është e mbetur një shtëpi, jo shtëpi dosido, por pallat në pronësi të patriotit demokrat Hasan Prishtina. Konsultojmë edhe një herë shkrimet për këtë shtëpi, të njohur vonë. Falë shkrimit besnik të historianit Arben Llalla, nisemi drejt Selanikut. Sapo lëmë prapa Ferizajn, për pak minuta na shfaqet pamja e Kaçanikut, të kësaj qyteze sa të lashtë dhe aq të bukur, ku si në vendet përrallore, zhvillohet jeta në peizazhet e bukura malore.

Kujtime të trishta

Magjia e Grykës së Kaçanikut me rrjedhën e Lepencit, të këtij lumi që vjen nga Sharri me njërin krah të Nerodimjes, sikur na jep forcë për një udhëtim të mbarë drejt Egjeut. Pas kalimit të pikës kufitare, vijnë Bllaca, pastaj Stankoveci, toponime të dhimbshme këto që kanë hyrë në historinë më të re shqiptare. Më shumë se një gjysmë Kosove doli këtyre anëve, sa me tren, sa me vetura, sa këmbë, e përndjekur nga tytat e policisë dhe ushtrisë serbe në vitin 1999, kur po zhbëhej a po ribëhej Kosova. Nuk ka si të mos e kujtojë njeriu gjithë atë zallamahi të shpërngulurish, gjithë ato vaje e dënesje, kur në sytë e shqiptarit, po pritej të merrte fund shekulli i lotëve. Por, mrekullia ndodhi, kur pikërisht Grykës së Kaçanikut, hyri turma e rraskapitur drejt lirisë së pritur. Që nga ai çast e sot, unë, shqiptari i vogël, SHBA-të i çmoj si një perëndi tokësore të kombit tim.
Ende pa iu afruar Shkupit, në pjesën e përparme të veturës, vendosim sistemin e navigimit, ku në ekran shënojmë cakun e synuar: Greqi, Selanik, Rruga Vasilis Olgas. Futemi autostradës dhe rrëshqasim drejt Egjeut, këtij deti të historive të pafund, ndërsa gjatë gjithë udhës na shoqëron Vardari, që tashmë e ka me vete edhe ujin e Lepencit, edhe ato pak valë e stërkala të Nerodimjes. Fryma e jugut na mbush shend. Sa më poshtë, aq më ngrohtë.


(Tekstin e plotë mund ta lexoni të hënën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat