Malisheva përgatitet për “stinën e rriqrave”

Lajme

Malisheva përgatitet për “stinën e rriqrave”

Më: 4 mars 2015 Në ora: 19:26

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka pritur në një takim kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begajn.

Ministri Agani u njoftua për së afërmi nga kryetari Begaj, me problemet me të cilat po ballafaqohet Komuna e Malishevës, dhe njëkohësisht u shqyrtua mundësia e përkrahjes së projekteve konkrete në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor.

Kryetari Begaj, shpalosi disa projekte që kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza, çështjen e rregullimit të shtratit të Lumit Mirusha, por edhe mundësinë e organizimit të një kampanje për pastrimin e mjedisit në këtë komunë.

Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe çështjes së rriqrave, problem ky që Komuna e Malishevës përballet çdo vit. Begaj bëri të ditur se kanë ndarë rreth 250 mijë euro që do të përdoren për repelimin e kafshëve, në mënyrë që të parandalohet shpërndarja e rriqrave në natyrë.

Ministri Agani, tha se si pjesëtar i Këshillit ndërministror për luftimin e etheve hemorragjike, do të angazhohet në maksimum që t’i përgjigjet kërkesave të Komunës dhe komunitetit të atjeshëm, ngase vitet e kaluara nga pickimi i rriqrave kanë humbur jetën disa qytetarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat