Kosova ende nuk është anëtare e procesit të Bolonjës

Lajme

Kosova ende nuk është anëtare e procesit të Bolonjës

Më: 1 mars 2015 Në ora: 09:34

Edhe pse arsimi i lartë në Kosovë po zbaton kriteret dhe standardet e Procesit të Bolonjës, Kosova ende nuk është anëtare e këtij procesi.

Kjo shtyrje e anëtarësimit është bërë për çështje politike, tha për Radio Kosovën, Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami. Ai bëri të ditur se janë angazhuar shumë njerëz për të lobuar për pranim në Bolojnë ,edhe pse nuk e shikon si proces të lehtë, pasi siç tha, ende nuk jemi anëtar të Këshillit të Evropës dhe anëtarë të asnjë konvente evropiane.

Kosova ka arritur të zbatojë kriteret dhe standardet e procesit të Bolonjës në arsimin e lartë, por ende nuk është anëtare e këtij procesi. Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha për Radio Kosovën, se mos anëtarësimi i Kosovës në procesin e Bolonjës është edhe çështje politike. Deri te shpallja e pavarësisë ishte problem anëtarësimi, sepse nuk mund të pranohej Kosova, tha Ministri, duke shtuar se tani ka mbetur problem mosnjohja nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian.

“Si ministër jam duke zhvilluar konsultat e fundit me kolegët e mi ministra të shteteve të BE-së, që të provojmë të kemi një përparim apo edhe një pranim. Uroj që ky vit të jetë një vit i anëtarësimit. Nuk është proces i lehtë, sepse nuk jemi ende anëtar të Këshillit të Evropës dhe anëtarë të asnjë konvente evropiane dhe kjo pak e pengon aspektin legal.”

Ministri Bajrami, tha se Ministria e Arsimit ka angazhuar mjaft njerëz dhe miq të Kosovës, për të lobuar për pranim në Bolonjë. Ai theksoi se Kosova e meriton të bëhet pjesë e këtij procesi, pasi siç tha, arsimi i lartë vazhdon të jetë më mirë se në shumë shtete të tjera të rajonit.

“Këto ditë do të takoj disa ministra të rajonit, do të bëjë disa vizita për t’iu shpjeguar përparimet në arsimin e lartë, për të dhënë edhe zotimin e reformave. Uroj që Kosova të anëtarësohet brenda hapësirës evropiane të arsimit të lartë. Të bëhet pjesë e procesit të Bolonjës me të drejta të plota. Mendoj se Kosova e meriton këtë, sepse gjendja në arsimin e lartë, përkundër problemeve, vazhdon të jetë më mirë se në shumë shtete të tjera të rajonit, ku kemi kriza të rënda dhe për faktin se kemi ndërtuar disa mekanizma mbrojtës siç është Agjencia Kosovare e Akreditimit, që nuk ka lejuar një gjendje kaotike, sidomos tek arsimi privat.”

Zbatimi i Procesit të Bolonjës në Kosovë, ka filluar në vitin 2002/2003 dhe prej asaj kohe Universiteti i Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, kanë bërë përpjekje për zbatimin e strategjive të Bolonjës. Kosova ka aplikuar dy herë për t’u anëtarësuar në Bolonjë, por është refuzuar për arsye se nuk ishte ende shtet i pavarur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat