Përkujtohet dëshmori Bekim Sejdiu

Lajme

Përkujtohet dëshmori Bekim Sejdiu

Më: 31 janar 2015 Në ora: 17:58

Para 25 viteve në Koshare të Ferizajt në një konfrontim të ashpër me policinë jugosllave ra heroikisht i riu nga ky fshati Bekim Sejdiu.

Ndonëse i ri me moshë, vetëm 15 vjeçar tek ai me kohë ishte brumosur ideja se çlirimi i Kosovës nuk bëhet pa mund e gjak.

Ai ishte nxënës i shkollës së mesme, ndërsa atë ditë kishte vendosur që të ishte përkrah bashkëvendasve të tij në demonstratën e cila po zhvillohej tek kryqi i Koshares.

Me këtë rast në përvjetorin e rënies një akademi përkujtimore është mbajtur të shtunën në Teatrin"Adriana Abdullahu", në të cilën folësit kanë lartësuar figurën e dëshmorit duke thënë se vrasja e tij ishte sinjali më i mirë se ky popull asnjëherë nuk do të pajtohen me zgjedhën për të qenë nën robëri.

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, nën patronatin e të cilit edhe u mbajt kjo akademi, theksoi se përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri e pavarësi, janë shoqëruar me sakrifica të panumërta, përgjatë shumë dekadash.

“ Vrasja e Bekim Sejdiut në moshë të njomë, nuk ka qenë përjashtim, sepse edhe fëmijë e të rinj të tjerë janë vrarë e masakruar, ose janë mbytur me mënyrat më mizore. Vrasja e fëmijëve dhe e të rinjve të moshës jomadhore, tregon për shumë gjëra. Ndër të tjera, dëshmon se me çfarë regjimesh shtypëse e mizore jemi ballafaquar. Një regjim që është në gjendje të qëllojë fëmijët, për të ruajtur pushtetin e vet të egër, tregon se është i gatshëm për ta vrarë të ardhmen e një populli të tërë", tha Svarqa.

Edhe drejtoresha e shkollës fillore në fshatin Koshare, Mexhide Lubishtani, theksoi se Bekim Sejdiu ra heroikisht në orën e madhe të historisë, kur vetëdija kombëtare kishte ngritur në këmbë rinin për t'i dhënë fund padrejtësisë.

Ndryshe, në këtë akademi përkujtimore, nxënësit e kësaj shkolle recituan poezi kushtuar dëshmorit Bekim Sejdiu, ndërsa në emër të familjes të pranishmit i ka përshëndetur edhe motra e dëshmorit Ibadete Sejdiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat