PARK: Keqardhje për vendimin e Komunës së Podujevës për vrasje të qenve

Lajme

PARK: Keqardhje për vendimin e Komunës së Podujevës për vrasje të qenve

Më: 25 janar 2015 Në ora: 22:45

Organizata PARK ka shpreh keqardhje për vendimin e Komunës së Podujevës për të vrarë qentë. Sipas kësaj organizate veprimi i kësaj komune paraqet një shembull të keq të rrënimit të qëllimshëm të rendit ligjor në Kosovë.
Organizata PARK, si organizatë e regjistruar që angazhohet për trajtimin human të kafshëve, shpreh keqardhjen për vendimin e Komunës së Podujevës për të vazhduar me planet e tyre për vrasjen e qenve endacakë. Jemi shumë të shqetësuar me argumentimin zyrtar: “Jemi të detyruar të veprojmë edhe pse e dimë se është e kundërligjshme”, thënë në një deklaratë publike për KlanKosova.

Konsiderojmë se kjo deklaratë paraqet shkelje të rëndë rendit ligjor dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, pasi që zyrtarët publik në mënyrë të vetëdijshme marrin vendime në kundërshtim me normat ligjore. Ky veprim i shkeljes së qëllimshme të ligjit bie ndesh me:

- Betimin e Kryetarit të Komunës që është betuar se do të punojë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit,

- nenin 7 të Kushtetutës që thotë se rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet (ndër të tjera) në sundimin e ligjit.

- Nenin 124, pika 6, të Kushtetutës që thotë se Komunat obligohen të respektojnë Kushtetutën, ligjet, dhe të zbatojnë vendimet gjyqësore.

Organizata PARK i bën thirrje Presidentes të Republikës së Kosovës, si garantuese e funksionimit kushtetues të institucioneve, Ministrisë së Pushtetit Lokal, si autoritet ligjor mbikëqyrës i komunave si dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit që të ndërhyjnë në mbrojtje të ruajtjes se shtetit ligjor.

Përkujtojmë të gjithë zyrtarët publik se funksionimi i shtetit ligjor nuk mund të bëhet në mënyrë selektive dhe se kompromiset në këtë pikë paraqesin tronditje të thellë të rendit kushtetues dhe demokratik në Republikën e Kosovës.

Përkujtojmë publikun e gjerë se vrasja e kafshëve është në kundërshtim me ligjin e aplikueshëm në Kosovë (të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës), por po ashtu është në kundërshtim edhe me nenin 13 të Traktatit të Bashkimit Evropian. Si shtet që aspiron integrimin në BE, normat e këtij traktati janë obligative edhe për Kosovën.

Informojmë të gjithë ithtarët e trajtimit human të kafshëve se organizata PARK do të dërgojë ankesa formale në të gjitha adresat institucionale dhe te përfaqësitë relevante ndërkombëtare.

Po ashtu, shprehim gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar në gjetjen e zgjidhjeve ligjore dhe humane për të ruajtur jetët e njerëzve dhe për të siguruar trajtimin human të kafshëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat