Në rritje numri i përdoruesve të drogës nga mosha 12 vjeç

Lajme

Në rritje numri i përdoruesve të drogës nga mosha 12 vjeç

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 09:15

Në Kosovë ka shënuar rritje numri i përdoruesve të drogave. Safet Blakaj, nga Organizata “Labirint” tha për Radio Kosovën se është por tu brengosur përdorimi i heroinës nga moshat 12 deri 15 vjeç.

Heroina është një ndër drogat me të rrezikshme sa i përket varshmërisë. Nga viti 2000 në këtë organizatë janë regjistruar mbi 1200 përdorues drogave, të cilët kanë kërkuar trajtim për rikthim në jetë. Ndërsa zyrtarë të Policës së Kosovës, thonë se vetëm gjatë periudhës janar-nëntor janë konfiskuar mbi 700 kilogram substancë narkotike e llojit mariuanë.

Sipas hulumtimeve të organizatës “Labirint”, kryeqyteti prin për përdorimin e të gjitha llojeve të drogave, ndërsa pasohet nga Prizreni dhe Mitrovica. Drejtuesi i organizatës “ Labirint” Safet Blakaj, tha se është brengosës përdorimi i llojeve të drogave te moshat e reja, dukuri kjo, që çdo vit po e shton numrin e të rinjve të cilët po përfundojnë si është më keq.

"Më herët përdoruesit kanë filluar edhe me drogën heroinë në moshat më të reja. Mosha më e re me heroinë, do të thotë, ka qenë 13 vjeç. Herona është një ndër drogat me të rrezikshme në kuptimin e shkaktimit të varshmërisë së shpejt, është pluhur po mund të përdoret në shumë mënyra. Mariuana që tani është shumë në trend, ka shtuar dukshëm përdorimin e drogës në përgjithësi e posaçërisht te të rinjtë. Kur them te të rinjtë, po flasë për të rinjtë nëpër shkolla që vijojnë mësimet. Mosha më e re ka qenë prej moshës 12 vjeç edhe kjo jo vetëm në një rast. Mosha mesatare e fillimit të përdorimit të mariuanës ka rënë diku rreth 15.1. Edhe kjo është jashtëzakonisht moshë e re për fillimin e eksperimentimit të saj".

Opinionet e qytetarëve janë të ndryshme, për sa i përket shtimit të kësaj dukurie te rinia jonë. Disa nga ta kërkojnë seriozitet nga institucionet përkatëse në parandalimin dhe ruajtjen e shëndetit te moshat e reja, ndërsa ka të tillë që mendojnë se prindërit po i lënë fëmijët jashtë kujdesit të tyre.

Safet Blajak nga Organizata “Labirint” thotë se kjo dukuri ka bërë që shumë organizata botërore të hulumtojnë shkaktarët e përhapjes së saj, por si duket ende pa rezultate. "Për çështjen pse dikush fillon me drogë, janë bërë shumë hulumtime në shkallë të gjerë në nivel botëror dhe përfundimi nuk ka sjellë përgjigje, ose nuk është përmbledhur i saktë. Edhe te ne është e njëjta gjë. Pra nuk mund të themi sakt se është ky problem, apo është ai që i shtynë ata në këtë rrugë. Janë disa rënd-lista në Top dhjetëshen e arsyeve pse dikush fillon me përdorë drogë, mirëpo, mendojmë te ne qasja te drogat është më e lehtë dhe kjo është shumë e rëndësishme: ndjenja për të provuar diçka të re dhe tjetra është siç e quajmë ne: presioni i grupit. Kur them presioni i grupit, nuk do të thotë që dikush i bën presion për me përdorë drogën, po i bashkohet grupeve të caktuara, ndoshta për arsye që te identifikohet me grupe të caktuara në një hapësirë të caktuar, në shkollë apo jashtë shkollës p.sh., një grup që përdorë drogën e ju duket se janë me të avancuar, më “IN” dhe ju bashkohen të tjerët".
Aktivitetet që kanë të bëjnë me hulumtimin dhe kapjen e arterieve të trafikantëve me narkotikë janë zhvilluar gjatë tërë vitit, tha për Radio Kosovën zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani.

"Sa i përket personave të dyshuar, të identifikuar nga Policia e Kosovës, janë 747 persona të dyshuar për përudhen janar-nëntor. Ndërsa prej tyre ,janë arrestuar 598 persona. Policia e Kosovës ka realizuar një sërë operacionesh, janë shkatërruar mbi 17 grupe kriminale. Mund të them se diku vetëm gjatë kësaj periudhe janar-nëntor janë konfiskuar mbi 719 kg substancë narkotike e llojit marihuanë, e cila është më së shumti prezent në Kosovë, por që më shumë është çështje transitit që kalon nëpër Kosovë dhe një pjesë e llojeve të tjera të narkotikeve ku mund të them diku rreth 21 kg, e llojit kokainë".

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka disa aktivitete të cilat i ka filluar, që kanë të bëjnë me vetëdijesimin e parandalimit të kësaj dukurie. Arbërie Ngavci, drejtoreshë e Drejtorisë për Arsim tha se deri më tani kanë mbajtur shumë ligjërata me qëllim vetëdijësimin e nxënësve të shkollave të mesme dhe po ashtu kanë hartuar një plan konkret për vitin e ardhshëm në këtë drejtim.

"Tashmë kemi të punësuar 10 psikologë në shkollat e Komunës së Prishtinës, tani jemi në proces edhe të punësimit edhe për katër shkolla të tjera dhe jemi duke e shqyrtuar mundësinë e punësimit të psikologëve edhe në shkollat tjera. Qëllimi ynë është që në të gjitha shkollat të kemi psikolog, nëse jo me orar të plotë të paktën të jenë dy ditë të javës. Do të thotë një psikolog do të mbulojë dy shkolla. Do të jetë në ditë të caktuara në shkolla përkatëse dhe mësimdhënësi do t'i referojë nxënësit te psikologu. Por në anën tjetër edhe vetë nxënësit, por edhe vetë prindërit do të kenë një adresë për problemet që i shqetësojnë. Një hap tjetër që jemi duke e bërë në këtë drejtim është rritja e bashkëpunimit me prindërit dhe me komunitetin. Në fillim të vitit të ardhshëm, ne do të organizojmë takime me përfaqësues të prindërve të secilës shkollë, që t'i funksionalizojmë këto këshilla drejtuese të prindërve, ti njoftojmë ata më shumë me të drejta e tyre. Dhe në anën tjetër të kërkojmë prej tyre një bashkëpunim, sepse jemi të vetëdijshëm se tema që ju po e trajtoni kërkon një bashkëpunim serioz me prindërit, nxënësit, mësimdhënësit dhe të gjithë akterët tjerë".

Strategjia ndërministrore 2012-2017 që është nxjerrë në kuadër te Zyrës se Kryeministrit, ka të bëjë me parandalimin e drogave, nëpërmjet programeve të rregullta, duke i realizuar objektivat e shëndetit publik nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme me të rinjtë në objektet shkollore dhe jashtë tyre.

Ndërkaq, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se ka edhe shumë grupe të tjera që janë duke u hetuar nga ky institucion si të dyshuar për shpërndarje të drogave te të rinjtë.
“Ne jemi në vazhdimësi në mbledhje të informacioneve të cilat po na qojnë te personat e dyshuar të cilët janë dukë e zhvilluar ketë veprimtari, e që pas kapjes do të sjellen te organet e drejtësisë”.
Psikologët nga ana e tyre këshillojnë prindërit, në rast se vërejnë çrregullim në sjellje të fëmijëve të tyre, të paraqiten menjëherë te psikologu, apo personi përgjegjës për konsultime, sepse nuk është turp të kërkohet ndihmë. Sipas tyre, dikur mund të bëhet vonë .

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat