Një vit e gjysmë pas privatizimit, KEDS me çmime më të larta, më pak furnizim dhe pa investime të reja

Lajme

Një vit e gjysmë pas privatizimit, KEDS me çmime më të larta, më pak furnizim dhe pa investime të reja

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 13:44

Lëvizja VETËVENDOSJE! mbajti sot konferencë për media ku deputeti Visar Ymeri dhe anëtari i Komitetit për energji, prof. Naim Hoxha, folën për KEDS-in dhe ZRRE. Privatizimi i Kompanisë Kosovare për Distribucion dhe Furnizim me Energji Elektrike, arsyetohej atëbotë nga Besim Beqaj me domosdonë e rritjes së efiçiencës së kompanisë.
Kjo rritje e efiçiencës do të rezultonte në dobi të qytetarit sepse, na thuhej, do të përmirësohej furnizimi me energji elektrike, do të rriteshin investimet, dhe do të kishim çmime më të lira. Këto janë arsyetimet kujdestare të privatizimit sipas VV’së.

Deputeti Visar Ymeri tha se pas një viti e gjysmë të menaxhimit privat të KEDS-së, çmimet i kemi shumë më të larta, furnizimi ka rënë në cilësi, e investimet janë vetëm ato projekte të bartura nga koha kur kompania ishte në pronësi publike.

“Këtë vit i kemi pasur dy ngritje të çmimit të tarifave të energjisë, njëherë 4.57% dhe herën tjetër 5.18%. Vetëm ky fakt, pa u ndalur fare te të tjerat, tregon qartë për rënie drastike të efiçiencës së ndërmarrjes, pasi një ndërmarrje efiçiente ofron shërbime më cilësore me çmime më të ulëta. Po të kthehemi prapa, çmimet e energjisë elektrike kanë qenë relativisht stabile prej viti në vit që prej pas luftës. Rritja e parë domethënëse prej 8.9% ka ndodhur në vitin 2012 kur Qeveria e shpalli konzorciumin Limak Çalik si fitues të tenderit të privatizimit të KEDS-it. Dhe prej atëherë kemi edhe dy rritje tjera të çmimit të energjisë këtë vit për të cilat fola më lartë”, tha ai

“Nga dje punëtorët e KEDS-it kanë hyrë në grevë. Ata kërkojnë kushte më të mira të punës, rritje të pagave në nivel të sektorit dhe siguri në punë. Këto kërkesa bazike janë të arsyeshme dhe ne i mbështesim punëtorët dhe grevën e tyre. Njëkohësisht kërkojmë nga organet shtetërore t’i marrin të gjitha masat që t’ua sigurojnë punëtorëve të drejtën për grevë, dhe nga gjykatat që në asnjë mënyrë të mos bëhen pre e menaxhmentit të KEDS-it dhe kërkesave të tyre absurde që gjykata ta ndal grevën. Grevën mund ta ndalë menaxhmenti dhe atë vetëm duke ua plotësuar kushtet punëtorëve. Gjatë muajit shtator Edita Tahiri e ka arritur edhe një marrëveshje me Serbinë për energji, Planin operativ të zbatimit të marrëveshjes së vitit të kaluar. Ky plan asnjëherë nuk u bë publik. Kërkesës sonë për qasje në këtë dokument zyrtar zyra e Edita Tahirit i përgjigjet me vonesë dhe e refuzon atë me një arsyetim banal procedural”, theksoi në fund Ymeri.
Anëtari i Komitetit për energji, Naim Hoxha, foli për funksionimin e ZRRE-së, cenimin që ia bën pavarësisë së saj Qeveria, mungesën e transparencës për sajimin dhe përpilimin e çmimeve të energjisë, e të ngjashme. “ZRRE-ja ka paraqitur në raportin vjetor, se për shkak të trajtimit të tyre si shërbyes civilë, e që nuk janë, dhe për shkak të rënies të të hyrave, është shkaktuar ikja e kuadrove, gjë që ka pamundësuar funksionimin normal të ZRRE-së. Edhe përkundër mbetjes së bordit me vetëm tre anëtarë, edhe përkundër mungesës së konsiderueshme të stafit cilësor, ZRRE vazhdon t’i kryej obligimet e veta, sipas saj pa pasoja. ZRRE vazhdon tutje me mungesë të plotë të transparencës për llogaritje të HML-MAR, llogaritje kjo që përcakton çmimin e energjisë elektrike, si dhe dokumente si rritja e çmimit e të tjera. Nga kërkesa jonë ajo na dërgon një pjesë të dokumenteve financiare të operatorëve të përpunuara, jo origjinale”, tha ndër të tjera Hoxha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat