170 deponi ilegale në Prishtinë

Lajme

170 deponi ilegale në Prishtinë

Më: 22 tetor 2014 Në ora: 14:37

Sot, Komuna e Prishtinës organizoi konferencë për media në lidhje me rendin komunal dhe ndërtimet. Në këtë konferencë, Drejtori i së Inspeksionit, Xhelal Sveçla, prezantoi punën e deritanishme të kësaj drejtorie, si dhe planet në të ardhmen.
Gazetarët e pranishëm u njoftuan lidhur me aktivitetet që kanë të bëjnë me rendin komunal, mbrojtjen e mjedisit, ndërtimet dhe si dhe rritjen e efektivitetit të kësaj drejtorie në të ardhmen.

Drejtori i Inspeksionit, Xhelal Sveçla, tha se fokusi i Drejtorisë është rendi komunal dhe ndërtimet. Një prej problemeve më të mëdha që janë identifikuar deri më tani, sipas tij, janë deponitë ilegale, qoftë të mbetjeve inerte apo edhe të përziera dhe të amvisërisë. Aktualisht është krijuar një grup pune që përbëhet nga specialistë të shumë drejtorive, i cili ka për fokus mbrojtjen e mjedisit, ndërsa në përfundim e sipër janë procedurat për përzgjedhjen e operatorit që do të bëjë largimin e mbetjeve inerte nga deponitë ilegale, njofton kumtesa nga kryeqyteti.

“Ne kemi identifikuar rreth 170 deponi ilegale në Komunën e Prishtinës. Kemi inspektuar çdo lagje të kryeqytetit dhe fshatrave. Në bashkëpunim me Ndërmarrjen “Pastrimi” do të punojmë edhe me largimin e deponive të mbetjeve të amvisërisë. Gjithashtu, paralelisht jemi duke punuar edhe në lirimin e hapësirave publike nga uzurpimet e ndryshme dhe menaxhimi tarracave”, tha ai.

Në këtë pjesë të prezantimit u fol edhe për largimin e rrethojave publike, rrethimin dhe rregullimin e varrezave në zonat rurale dhe intervenimet në rastet e ndotjes akustike.

Sveçla i njoftoi gazetarët se shumë shpejt veturat që do të parkohen në zonat e gjelbëruara do të largohen menjëherë nga inspektorët.
Në këtë konferencë u tha se së shpejti do të paraqitet organograma e re e Drejtorisë së Inspeksionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat