Nuk janë fajtor mësuesit për dështimin e gjumashëve

Lajme

Nuk janë fajtor mësuesit për dështimin e gjumashëve

Më: 19 tetor 2014 Në ora: 20:58

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan ka reaguar në pamfletin e LDK-së “Mësueset e VV-së shumë dorështrënguara”

Vlerësimin e Nënkomitetit të Shëndetësisë të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan të botuar më 16 tetor, dy mjekë të LDK-së e kanë quajtur si të paargumentuar.
Bëjmë me dije se gjithçka kemi deklaruar ne në vlerësimin tonë është e bazuar në fakte. Për sqarime edhe më të detajuara po ju ofrojmë edhe këto shpjegime shtesë:

1. Të dhënat për buxhetin i kemi nxjerrë nga dokumenti zyrtar i publikuar nga Komuna pas aprovimit të Buxhetit për vitin 2015. Në të njëjtin dokument është edhe Buxheti i vitit 2014.Ne e kemi bërë krahasimin dhe bartim përgjegjësi morale dhe materiale për vërtetësinë e të dhënave. Ne jemi marrë me linjat buxhetore shpenzime kapitale dhe mallra e shërbime të cilat janë njëra për 40% e tjetra për 25% më të vogla në krahasim me vitin 2014. Këto shifra, e demantojnë pohimin e zyrtarëve se:”Buxheti i planifikuar është në nivelin e planifikimeve të viteve të mëhershme...”. Ne nuk jemi marrë me “...imponimet e pavullnetshme nga Qeveria” me të cilat ju mundoheni të arsyetoheni, sepse ne nuk jemi marrë me shkaqet por me pasojat dhe se qytetarëve ju intereson kualiteti i shërbimeve, që lë shumë për të dëshiruar.
2. Ne nuk i kemi komentuar planet tuaja në lidhje me sjelljen e donacioneve sepse planet e ndryshojnë gjendjen vetëm kur realizohen. Ndërkohë që ju dëshirojmë suksese në realizimin e këtyre donacioneve.
3. Na e keni zënë për të madhe që jemi marrë me numra. Do të ishte mirë ju të na shpjegoni si mund të komentohet buxheti pa përmendur numra?
4. Në këtë analizë ne nuk jemi marrë me renovime e tenderët e shpallur, por me shërbimet që po jua ofroni pacientëve. Për parregullsitë në tender do të flasim një herë tjetër.
5. Ju përgëzojmë për “sakrificën” që e keni bërë me rastin e vaksinimit të 4300 qytetarëve. Edhe pse kjo është puna e juaj për të cilën paguheni, para se të jetë sakrificë.
6. Ne e kemi ditur se e keni gjetur të mbyllur Ambulancën e Livoqit të Epërm por nuk e kemi ditur se synim i juaji është ruajtja e status quo-s e jo avancimi i kësaj fushe të rëndësishme.
7. Në reagimin tuaj ju e keni heshtur faktin se ushtruesi i drejtorit të QKMF është edhe ushtrues i drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë sepse ju jeni të vetëdijshëm se kjo është shkelje ligjore. Shkeljet janë shkelje edhe atëherë kur fshihen.
8. Sa i përket ftesës për konkurrim për drejtor, po të mos ishte kriter i juaji i parë përkatësia partiake dhe po ta shohim se keni vullnet për ta ndërruar gjendjen për të mirë, edhe ne mund ta kishim dërguar ndonjë kuadër për t'ju ndihmuar në menaxhim.
9. Sa i përket reagimit të Spitalit regjional, ju themi përgjegjësve të këtij institucioni shumë të rëndësishëm shëndetësor se suksesi i këtij institucioni matet me vëllimin dhe kualitetin e shërbimeve profesionale dhe humanitare, me respektimin e orarit të punës, me furnizimin e spitalit me barëra dhe me ndershmërinë në punë pra përjashtimin e korrupsionit si kusht për ta krye punën për të cilën paguheni.

Sa janë duke u përmbushur këto norma ligjore e morale në këtë institucion më së miri e dinë pacientët dhe të afërmit e tyre që shpesh flasin për përvoja të hidhura që i sjellin individ e udhëheqës të caktuar të këtij institucioni.

Është karakteristikë e keqpërdoruesve të pushtetit që problemet e përgjithshme t’i personalizojnë siç ka ndodhur edhe me këtë rast. Kjo bëhet me qëllim të ikjes nga temat që iu vendosë ata para përgjegjësisë.

Ju e keni akuzuar përfaqësuesen e VETËVENDOSJE-s pa të drejtë sepse veprimi i saj është në përputhje të plotë me ligjin. Nëse është ndryshe na e argumentoni dhe po ashtu denoncojeni. Ne do t'ju bëhemi krahë. Nëse nuk ka shkelje ligjore atëherë kërkoni falje.

Ky prezantim i gjendjes në shëndetësi, i bazuar në fakte nuk bëhet për inat, siç është reagimi i juaj inatçor, por bëhet me qëllim të dhënies së kontributit në përmirësimin e gjendjes vërtetë të rëndë në shëndetësi.

Sa për disa kompetentë dhe disa punëtorë shëndetësorë në sektorin e shëndetësisë vërtet na vjen keq që kanë lejuar të bëhen shpesh objekt i prokurorëve, policisë dhe gjykatave dhe të përfundojnë në burg.

Populli nuk ka investuar për shkollimin e tyre që ata ta keqpërdorin pozitën e tyre. Kjo gjendje, me të cilën nuk janë të kënaqur qytetarët, e nuk është interes i këtij vendi do të ndërrojë shpejt me angazhimin e të gjithëve duke përfshi këtu edhe udhëheqësit e ndershëm të këtij sektori. Të gjithë ju që i keni duart e pastra ju ftojmë të bëheni pjesë e ndryshimeve pozitive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat