Kthehet në rivendosje çështja e caktimit të masës së paraburgimit ndaj 11 te pandehurve

Lajme

Kthehet në rivendosje çështja e caktimit të masës së paraburgimit ndaj 11 te pandehurve

Më: 2 tetor 2014 Në ora: 15:50

Gjykata e Apelit ka aprovuar të mërkurën (01.10.2014), ankesat e mbrojtësve të 11 personave të dyshuar për vepra penale kundër rëndit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Gjykata vendosi që aktvendimi për caktimin e masës së paraburgimit, PPR.KR.nr.464/2014,

i datës 19.09.2014, të anulohet dhe çështja t’i kthehet Gjykatës Themelore në Prishtinë për rivendosje. Deri në marrjen e një vendimi të ri nga ana e kësaj të fundit, të pandehurit B. R, E.G, M.M, F. R, A M, D. G, E.N, L.R S. S, dhe T. A do të qëndrojnë në paraburgim.

Kolegji prej tre gjyqtarësh i Gjykatës së Apelit konstatoi po ashtu se ankesat e dy të pandehurve tjerë të këtij rasti E. R dhe E. A, janë jo lëndore.

Gjykata e Apelit vlerëson se aktvendimi i shkallës së parë i kundërshtuar me ankesa, përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384 i Kodit të Procedurës Penal të Kosovës, ngase në arsyetimin e tij, nuk janë paraqitur arsye përkitazi me faktin vendimtar apo kushtin elementar (dyshimin e bazuar), i cili duhet të plotësohet për t’iu caktuar dikujt paraburgimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat