Rinia anashkalohet nga të gjithë

Lajme

Rinia anashkalohet nga të gjithë

Më: 20 shtator 2014 Në ora: 11:34

Të rinjtë e Pejës kanë organizuar një aktivitet në këtë qytet, ku nëpërmjet kutive sikur në zgjedhje, kanë shprehur brengat e tyre. Ata kanë deklaruar se rinia jo vetëm në Pejë por edhe në Kosovë është e anashkaluar. Të rinjtë pejanë kërkojnë punësim dhe integrim.
Këshilli i Veprimit Rinor Lokal (KVRL) në Pejë bashkë me Kuvendin e të Rinjve të kësaj komune zhvilluan të premten një aktivitet për të mbledhur preokupimet e të rinjve të këtij qyteti. Në kutitë si të zgjedhjeve, të vendosura mbi një tavolinë në sheshin e qytetit, të rinjtë kishin mundësinë t’i hedhin letrat e plotësuara me kërkesat dhe nevojat e tyre. E ato kërkesa pastaj do t’i adresohen institucioneve përkatëse.

“Shpresojmë t’u hapen sytë e veshët atyre që duhet të dëgjojnë hallet e rinisë”, tha Aida Berisha nga Këshilli i Veprimit Rinor Lokal. Përmbajtja e mendimeve të shprehura prej të rinjve në ato copëza letre ishin kryesisht të njëjta dhe preknin tri elemente qenësore që e preokupon sot rininë pejane. “Na duhet punësim, siguri dhe arsimim më kualitativ”, treguan dy shoqet, Grentiana Kelmendi dhe Donjeta Mekuli për nevojat e rinisë së Pejës dhe mbarë vendit që i kishin hedhur në kuti.

Tajar Zekaj, kryetari i Kuvendit të Rinjve të Pejës shpreson që me këto mendime të rinisë mund të bëhet një ndryshim sa i përket qëndrimeve të institucioneve ndaj rinisë. “Nëse bëjmë një krahasim të riut të vendit tonë me një të një shteti evropian, atëherë mënyra e vetme është që të rrisim zërin me një buri që institucionet të dëgjojnë më shumë zërin tonë”, tha Zekaj.

Ai thotë se jo vetëm rinia pejane por edhe rinia në tërë Kosovën është anashkaluar nga gjeneratat ma të vjetra, të cilat nuk diskutojnë asgjë me rininë. Sipas tij, rinia nuk pyetet e as nuk përfshihet në proceset vendimmarrëse, sikur ato procese të mos kishin farë lidhje me rininë, e cila e përbën pjesën më të madhe të shoqërisë sonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat