Jahjaga: Serbia të angazhohet për personat e pagjetur

Lajme

Jahjaga: Serbia të angazhohet për personat e pagjetur

Më: 30 gusht 2014 Në ora: 18:04

Presidentja Jahjaga ka bërë një Deklaratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Personat e Pagjetur. Ajo ka thënë se Kosova është duke u angazhuar me faktorin ndërkombëtar për zbardhjen e fatit të secilit qytetar të pagjetur. Ndërsa ka kërkuar edhe nga Republika e Serbisë angazhim për zgjidhjen e fatit të të pagjeturve, qytetarë të Kosovës, dhe në kthimin e tyre në Kosovë.
Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë të Jahjagës

Çështja e personave të pagjetur, si trashëgimi e dhimbshme e luftërave dhe konflikteve kudo në botë, përfshirë Ballkanin e posaçërisht Kosovën, është plaga më e rëndë e shoqërisë që kërkon zbardhje të plotë të fatit të tyre, duke vendosur paqen shpirtërore edhe për të gjitha familjet e këtyre personave.

Ende 15 vjet pas luftës në Kosovë, mbi 1700 qytetarë të vendit konsiderohen të pagjetur dhe përpjekjet e deritashme kanë qenë të pamjaftueshme për të gjetur përgjigjen për fatin e tyre.

Dhimbja për të pagjeturit bëhet më e madhe me kalimin e kohës dhe moszgjidhja e kësaj çështjeje po mban peng shpirtrat e familjarëve të tyre dhe gjithashtu edhe çdo proces të normalizimit të jetës në Kosovë.

Përpjekjet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve duhet të shtohen po aq sa edhe përpjekjet për të vënë në vend drejtësinë, duke nxjerrë përpara saj të gjithë përgjegjësit për krimet e kryera. Institucionet e Kosovës janë të angazhuara plotësisht, së bashku edhe me faktorin ndërkombëtar, për zbardhjen e fatit të secilit qytetar të Kosovës, që është i pagjetur.

Kjo është çështja me përparësinë më të madhe për institucionet e Kosovës, të cilat kanë kërkuar edhe angazhimin e plotë dhe me përgjegjësi të Republikës së Serbisë në zgjidhjen e fatit të të pagjeturve, qytetarë të Kosovës, dhe në kthimin e tyre në Kosovë.

Prandaj, në këtë Ditë Ndërkombëtare të Personave të Pagjetur, ritheksojmë përkushtimin tonë për zgjidhjen e kësaj çështjeje, që do të mundësojë edhe hapjen e proceseve të reja në marrëdhëniet ndërmjet qytetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat