Protestojnë kundër veturave në Gërmi, paralajmërojnë peticion

Lajme

Protestojnë kundër veturave në Gërmi, paralajmërojnë peticion

Më: 13 prill 2014 Në ora: 11:46

Me moton “Stop veturave në parkun e Gërmisë”, “Prishtina MountainBike Extrems Group”organizuan një protestë tek hyrja e parkut të Gërmisë, ku kanë bërë thirrje për ndalimin e veturave në këtë park.
Ata paralajmëruan edhe një peticion për largimin e ndalesës (rampës) tek ky park.

Kjo protestë u mbajt në shenjë mbrojtjeje të njerëzve dhe ambientit, dhe në shenjë proteste për vdekjen e një personi, e cila u shkaktua një ditë më parë, nga goditja e një veture, teksa, tashmë i ndjeri, po ngiste biçikletën.

Granit Kadolli, një nga pjesëmarrësit në këtë protestë, tha se ata nuk kanë prapavijë politike, thjeshtë kanë dal për të kundërshtuar të keqen, që po i ndodh shoqërisë.

“Ne jemi një grup sportista të Prishtinës, nuk jena sportista profesional, po shfrytëzojmë ditë të lira për me dal në Gërmi. Dje rasti që ka ndodh që ka hup jetën ai personi që e ka shkel kerri në pjesën e parkut e kemi pa të arsyeshme edhe kemi marrë një vendim grupi i sportistave që me blloku rampën në këtë ditë që mos me hy me kerr në park... Kjo është hera e parë që po organizojmë një protestë të tillë, thjesht protestë paqësore nuk ka ndonjë qëllim me prapavijë diçka politike, vetëm për mbrojtjen e ambientit, mbrojtjen e miqve tanë, njerëzve tanë”, ka thënë ai.

Kadolli tha se kanë bërë edhe një kërkesë në Komunën e Prishtinës që këto ditë të vendosin ‘policë të shtrirë’ edhe në rrugën deri tek ndalesa (rampa) por edhe në pjesën e lartë pasi që të kalohet ndalesa, aty ku veturat duhet të paguajnë për të hyrë në parkun e Gërmisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat