Lejet e ndërtimit në Prishtinë – vetëm sipas rregullave dhe ligjeve

Lajme

Lejet e ndërtimit në Prishtinë – vetëm sipas rregullave dhe ligjeve

Më: 10 prill 2014 Në ora: 17:39

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Liburn Aliun, takuan sot përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërmarrjeve Ndërtimore dhe Prodhuese.

Në këtë takim u fol për problemet me të cilat ballafaqohen ndërtimtarët në Prishtinës, si dhe me problemet që i shkaktojnë vetë disa prej ndërtimtarëve.

Kryetari Shpend Ahmeti njoftoi përfaqësuesit e kësaj shoqate se aktualisht nuk ka asnjë kompani që e ka të gjithë dokumentacionin në rregull, dhe që nuk ka marrë leje brenda afatit të përcaktuar me ligj. Ai po ashtu, prezantoi para tyre edhe listën e kompanive që i kanë borxhe Komunës, për sa i përket pagesës që duhet të bëhet për lejet e ndërtimit. “Komuna, së bashku me kompanitë, duhet të bëjë një model të inkasimit të këtyre borxheve”, tha Ahmeti.

Ai më tej foli për ndërtimet pa leje dhe rrënimin e tyre, sipas ligjit. “49 ndërtesa pa leje kanë pasur vendim për rrënim, dhe nuk janë rrënuar. Shumë ndërtesa tjera kanë leje jashtë planeve rregullative dhe jashtë vijave ndërtimore, gjë që e bën përgjegjës edhe zyrtarin komunal i cili ua ka dhënë lejen e tillë. Ne përveç procedurave disiplinore që duhet t’i ndjekim, duhet të sigurohemi që kjo praktikë të mos vazhdohet më”, theksoi ai.

Më pas shtoi se nuk mund të vazhdojmë që të japim leje të ndërtimit, pasi të fillojnë ndërtimet e pasi të përfundohet gati gjysma e ndërtimit. “Ne kemi trashëguar një numër të madh të ndërtesave që tashmë janë në katin e dytë ose të tretë, e që thonë se “i kemi nisur procedurat për marrjen e lejeve”. Ne jemi të detyruar që sipas ligjit të japim përgjigje, dhe përgjigjet do t’i japim në të gjitha rastet ku dokumentacionet janë në rregull”, u shpreh Ahmeti.

Vitin e kaluar, Kuvendi Komunal ka miratuar Planin Zhvillimor Urban të Komunës, plan ky që është në shpërputhje me situatën aktuale në terren. “Ka kompani për shembull që kanë marrë leje për ndërtim në ndonjë pjesë të qytetit në vitin 2009, por nuk e kanë bërë ndërtimin deri tash. E njëjta kompani vjen tani për të kërkuar leje për të njëjtin ndërtim, mirëpo ne e kemi të pamundur t’ia japim, për shkak është në kundërshtim me Planin Zhvillimor Urban”, sqaroi Ahmeti para mediave dhe përfaqësuesve të shoqatës.

Pas fjalës së tij, pati shumë pyetje dhe diskutime edhe nga përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërmarrjeve Ndërtimore dhe Prodhuese, të cilat kërkuan nga Komuna e Prishtinës lehtësime për leje të ndërtimit.

Komuna e Prishtinës është e angazhuar që t’i ndihmojë të gjithë ndërtuesit që duan të punojnë korrektësisht dhe në përputhje me ligjin por duke mbrojtur interesin qytetarëve, si dhe interesin e vetë Komunës. Qëllimi ynë primar është instalimi i rendit dhe ligjit në Komunën e Prishtinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat