Sporti i çiklizmit i ndihmon shumë si hendbollist!

Hendboll

Sporti i çiklizmit i ndihmon shumë si hendbollist!

Nga: Kemajl Goca Më: 19 korrik 2018 Në ora: 18:40
Fitim Klinaku

Ka vite që i përkushtohet sportit të çiklizmit dhe e ndihmon shumë që të përgatitet edhe si hendbollist. Është fjala për vushtrriasin Fitim Klinaku, që ka disa oferta nga klubet e ndryshme të Kosovës, por ende nuk është përcaktuar se ku do ta vazhdojë karrierën si hendbollist.  Disa vitet luajti me sukses për KH Vushtrrinë, pastaj shtegtoi në KH Trepça, por pak pa përfunduar kampionati u nda me ekipin me renome. Klinaku është lojtar i lirë dhe mendon se cilit klub do t’i bashkohet për edicionin e ri. Megjithatë, çiklizmi është bërë sport i dashur për të dhe të shtunën që e lamë pas me biçikletë nga Vushtrria shkoi në Shkup dhe anasjelltas, duke bërë 224 kilometra.

“Bota sot”:  Një kohë në KH Vushtrria, së fundi edhe në Trepçë, por tani lojtar i lirë, ku do të jetë e ardhmja e juaj?

Fitim Klinaku: Kam shumë oferta, me shumë se 4 ekipe janë të interesuara me lidh kontratë. Për momentin jam duke shqyrtuar ofertat dhe me vendos për ekipin më të mirë të mundshëm, pra që ka kushtet më të mira.

“Bota sot”: A jeni i zhgënjyer me Trepçën?

Image

Fitim Klinaku: Në pjesën e fundit po, në fillim ka qenë çdo gjë siç ishim marr veshë.

“Bota sot”: Të shtunën që e lamë pas, me biçikletë marshuat nga Vushtrria në Shkup dhe anasjelltas, 224 kilometra, iu ndihmon edhe si hendbollist që të përgatiteni sa më mirë?

Fitim Klinaku: Po! Kjo histori me biçikletë ka filluar pas një lëndimi që kam pasur para 5 viteve dhe me rekomandimin e mjekut, si dhe të fizioterapeutit kam filluar me dalë në natyrë dhe kam arritur me tejkaluar lëndimin në mënyrën më të mire. Nga ajo kohë me ka mbetur në gjak dhe brenda jave tash gjithmonë dal 3-4 herë me biçikletë dhe së fundi kam pasur një aktivitet jo të zakonshëm, kam shkuar deri në Shkup dhe jam kthyer. Një aktivitet që se kam bërë asnjëherë me kaq shumë kilometra.

“Bota sot”: Sa ishte e vështirë?

Fitim Klinaku: Normal se ishte e vështirë,  por jam shumë aktiv dhe e kam kaluar në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Bota sot”: Si e sheh hendbollin në edicionin e ri, më të vështirë?

Fitim Klinaku: Ndryshimet në kryesitë e klubeve dhe premtimet e tyre po më japin një përshtypje që ka me qenë edicion më kualitativ dhe më konkurrues në mes ekipeve.

“Bota sot”: A ka gjasa që të ktheheni në Vushtrri?

Fitim Klinaku: Nuk e di! Kemi qenë në biseda, mirëpo klubi nuk është në gjendje të mirë, pak ka gjasa për Vushtrri.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë hendbollit në përgjithësi?

Fitim Klinaku: Njerëz të përgjegjshëm, profesional, me qëllime të qarta dhe organizime të nivelit të lartë të klubeve, në mënyrë që të rritet niveli i hendbollit sepse është në gjendje shumë të rëndë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat