Pse në hendboll dikush duhet të ikë malit?

Hendboll

Pse në hendboll dikush duhet të ikë malit?

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 27 shtator 2016 Në ora: 16:17
Ilustrim

Debate

Në vitet e pas luftës shikueshmëria në hendboll ka qenë mjaft e lart madje në disa ndeshje kalonte edhe 1500 shikues. Sidomos kur zhvillohej derbi i rivalëve të vjetër në mes Kastriotit të Ferizajt dhe Trepçës nga Mitrovica ose Trepça-Kastrioti apo Vëllaznimi-Trepça ose Vëllaznimi-Prishtina, Kastrioti-Besa, e kështu më radhë. Rivaliteti ishte i madh dhe pak kishte dallim në cilësi i pari me ekipin që renditej pas pozitës së katërt.  Një kohë Vushtrria arriti shikueshmërinë e madhe që shumë qytete e lakmonin! Tani hendbolli ka rënie në shikueshmëri pothuajse në të gjitha ndeshjet dhe për të vajtuar natë e ditë.  Disa njohës të hendbollit pa i cekur më emra, thonë: Si është cilësia është edhe shikueshmëria. A duhet klubet të organizohen edhe më shumë dhe të kërkojnë që të thithin mjete financiare që ta rrisin nivelin e lojës? Të sjellin përforcime me lojtarë të huaj, lojtarë me kuptimin e fjalës që kanë cilësi dhe jo vetëm sa për ti mbyllur disa bira ose ti marrim disa që nuk kanë vend në klubet e rajonit! Besa Famiglia, kampion në fuqi, vitin e kaluar por edhe këtë vit, nuk ka konkurrencë tash për tash dhe më shumë e shëtisin ligën.   Pejanët kudo që shkojnë shënojnë fitore të thella dhe sa të duan bindëse. Dhe sa është interes i KH Besa Famiglisë që t‘i mungoi konkurrenca? Aspak, sepse nuk përfitojnë asgjë pos që pësojnë edhe në rënie të nivelit të lojës, pasi që nuk kanë motiv. Dhe e dyta, përderisa te meshkujt nganjëherë ka ndonjë rivalitet të madh, mjerimi është te hendbolli i femrave. Dhe te femrat shqetësuese është se cilësia është rënë përtokë, shikueshmëria ka rënë shumë ultë. Ka pak shikues në palestra, mos të themi më shumë familjarë apo të ndonjë shoqërie që kanë nëpër shkolla ose mëhallë të tyre, sepse cilësia nuk tërheq shikuesin e këtij sporti.  Pas luftës ka qenë një rivalitet i madh në mes Kastriotit të Ferizajt dhe Vjosës së Shtimes, e cila shumë herë tubonte deri në 1000 e 1500 shikues. Në periudhën e viteve 2004-2006, ka qenë në qendër të vëmendjes Vushtrria! Sepse zhvillohej derbi i rivalëve të të njëjtit vend pothuajse, atëkohë Kosova e Vushtrrisë me Vicianet e Samadrexhës. Aty ishte një rivalitet më shumë se sportiv dhe palestra në të shumtën e rasteve nuk kishte vend për numrin e madh të shikuesve.  Derbi Kosova-Vicianet, ishte edhe prej derbive që edhe sot kujtohet për nga rivaliteti i madh dhe shikueshmëria rekorde. Po ku jemi sot me hendbollin femëror? Në fund të pusit, më së mirin e thonë edhe disa ekspertë dhe njohës të kësaj loje. Po kush e bart fajin? Faji gjithmonë është jetim, por pa dyshim se duhet investime në kuadrot profesionale dhe në lojtare që vërtet e meritojnë. Kështu, shikuesi do lojëra cilësore e rivalitet, dhe jo ndeshja kur përfundon me diferencë 20 -30 diferencë. Kur nuk ke cilësi, është normale që shikuesi ta kthen shpinën. Këtë e dinë mirë edhe vetë Federata e Hendbollit e Kosovës që duket e ka parë se nuk janë askund klubet me cilësi dhe vetë klubet e dinë pse ka rënë shikueshmëria. S’ka cilësi, dhe pikë. Fundja, a i vlen si themi në me u bë copë-copë kur nuk paguhesh ose merre para simbolike. Sa hendbollistja e hendbollisti është operuar me shpenzimet e veta ose kanë hyrë kredi deri 3000 mijë euro për t’u operuar dhe klubit as që i ka kërcitur. Sa të jesh lojtare e lojtarë në këmbë të forta, nuk ka me Ty, por u lëndove rëndë, për disa klube je askushi më! Këto janë disa që dihen, po u futem në thellësi, dikush duhet të ikë malit! Sepse nëse i marrim i llogarisim me emra e mbiemra sa hendbollistja e hendbollisti janë lënduar dhe disa klube nuk kanë bërë asgjë për ta, vërtet do të ishte e dhimbshme! Më rëndësi tani është që luftohet e të mbrohen sportistët dhe të bëhet sigurimi shendetësorë i tyre. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat