Saraçini para sfidës me Bosnjën dhe Hercegovinën: Në rend të parë është fanella e Kosovës

Hendboll

Saraçini para sfidës me Bosnjën dhe Hercegovinën: Në rend të parë është fanella e Kosovës

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 3 mars 2023 Në ora: 18:11
Eugen Saraçini

Kombëtarja e Kosovës po përgatitet për sfidat e rëndësishme në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Evropian në hendboll (meshkujt).

Dardanët do të përballen me Bosnjën dhe Hercegovinën.

Ballafaqimi i parë zhvillohet me 8 mars (20.15) në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit ne Prishtinë, ndërsa me 12 mars sfida tjetër në Tuzëll.

Image

Eugen Saraçini

Si njëra palë dhe skuadra tjetër, ende nuk e kanë shijuar pikën e parë në grupin e 7-të.

Sfida e tretë e Kosovës ose siç thonë në popull, pritet të jetë e treta e vërteta, pra kërkojnë fitoren e parë dhe para dashamirëve të flaktë në Prishtinë.

Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini, flet për gazetën kombëtare “Bota sot”, para sfidës me Bosnjën, po ashtu cilat janë raportet me federatën boshnjake dhe a mund të kenë probleme me çështjen e vizave si gjithmonë për të udhëtuar për në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Bota sot”: Jemi para dy ndeshjeve shumë të rëndësishme, ku vendoset gjithçka edhe vendi i tretë e ka mundësinë për kualifikim. Si e sheh Kosovën me Bosnjën, kur dihet se boshnjakët kanë disa mungesa sipas selektorit Irfan Smajllagiq dhe a mendoni se është një përparësi në këtë rast apo Kosova duhet të ketë kujdes të shtuar?

Eugen Saraçini: Natyrisht çdo ekip do të përpiqet t’i sheh pikat e dobëta të kundërshtarit, gjithashtu edhe selektori edhe lojtarët do të angazhohen pavarësisht këtyre pikave të dobëta, do të angazhohen sa më shumë që është e mundur për të arritur suksesin.

Ekipi i Bosnjës, pavarësisht prej informacioneve të cilat mund të jenë të vërteta ose mund të jenë taktizime, megjithatë mendoj që nuk do të duhej ekipi ynë të mashtrohet, duhet të luajë lojën e vet dhe maksimalisht të angazhohen, duhet ta mësyjë suksesin, për arsye se kjo është e vetmja rrugë, që të arrijmë sa më afër kualifikimit për Kampionatin Evropian.

Kemi edhe sfida tjera, një ndeshje këtu me Bosnjën, pas disa ditësh prapë në Bosnjë luajmë ndeshjen e kthimit, pastaj kemi Malin e Zi. Cikli nuk ka përfunduar ende, gjasat janë reale.

Natyrisht për të patur sukses në këto ndeshje janë çdo herë dy ekipe të cilat premtojnë të kanë suksesin, ne jemi, po ma merr mendja shumë më të motivuar që të arrijmë suksesin, aq me tepër kur tani po qartësohen situatat, arritjen e pozicionin numër tre në kuadër të grupit. Besoj që mund të realizohet.

Kemi ekipin e mirë, jemi të kompletuar dhe besoj se do të kemi suksesin.

“Bota sot”: Dihet se me Bosnjën vazhdimisht kemi probleme teknike, a është e rregulluar kësaj radhe çështja e vizave?

Eugen Saraçini: A e shihni se çdo herë ka probleme jo vetëm teknike por nganjëherë me tepër edhe politike, për fat të keq me Bosnjën në kuadër të proceseve të Berlinit ne kemi nënshkruar si dy vende dhe vende tjera të Ballkanit marrëveshje për qarkullim të lirë të qytetarëve por nuk është ratifikuar ende në Parlamentin e Bosnjës, ndërkaq ne e kemi ratifikuar në Parlamentin e Kosovës, por nuk ka ndodhur ende.

Dhe tash kush po pëson? Jo vetëm qytetarët e zakonshëm, jo vetëm bizneset e kështu me radhë, po e shihni edhe sportistët, të cilët me probleme të ndryshme po duhet mi siguruar vizat për Bosnje dhe Hercegovinë.

Dhe kështu që ne si federatë po merrem nganjëherë me tepër me probleme teknike, sesa që duhet fokusohemi në çështje të ndeshjeve, do të thotë qëllimit parësorë të sportistëve, të shoqërohen dhe të arrijnë të krijojnë atmosferë sportive, që t’i motivojnë gjeneratat e reja për sporte të caktuara, në këtë rast për hendbollin.   

“Bota sot”: Cilat janë raportet me federatën e Bosnjës, kur dihet se përbëhet prej tri etniteteve, nga boshnjakët, serbët e kroatët, a do të keni ndonjë problem?

Eugen Saraçini: Nuk kemi probleme me komunikimin, ata janë shumë me të zëshëm me qasjen e qeverisjes, të Parlamentit të tyre rreth këtyre zhvillimeve të cilat e pamundësojnë qarkullimin e lirë dhe në çdo takim nëpër Kongrese jo vetëm evropiane por edhe ato botërore, kemi komunikime jashtëzakonisht të mira.

Aq me tepër ku një pjesë dërrmuese e tyre vijnë nga komuniteti boshnjak dhe kroat por ne jemi të hapur me çdo kënd të komunikojnë pavarësisht se kush është në krye dhe mund ta cilësojë që kemi relacion normal, të respektueshëm ndaj njëri - tjetrit dhe besoj që kjo do të vazhdojë edhe më tutje.

“Bota sot”: Kosova mund të kualifikohet, a do të ketë shpërblime?

Eugen Saraçini: Shumë herë me keni pyetur për çështje financiare, çështjen e shpërblimeve dhe nuk kam qenë asnjëherë i lumtur për këtë pyetje por natyrisht në rend të parë është fanella e Kosovës. Çdo bonbon që e japin do të jetë pas suksesit eventual dhe në këtë rast do të ketë bonbona për ata që e meritojnë.

Grupi 7

1. Mali i Zi    2    2    0    0    65:45    4
2. Sllovenia    2    2    0    0    57:44    4
3. Kosova    2    0    0    2    44:58    0
4. Bosnja dhe Hercegovina 2    0    0    2    45:64    0

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat