BE: Dialogu lehtësohet veç nga Përfaqësuesja e Lartë

Aktuale

BE: Dialogu lehtësohet veç nga Përfaqësuesja e Lartë

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 10:12
Hashim Thaçi, Federica Mogherini dhe Aleksandar Vuqiç

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është i përcaktuar të lehtësohet nga Përfaqësuesi i Lartë apo zëvendëspresidenti i Bashkimit Evropian, e që aktualisht me këto pozita udhëheq Federica Mogherini.

“Dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës lehtësohet nga Përfaqësuesi i Lartë / zëvendëspresidenti i BE-së”, thotë zëdhënësja e Bashkimi Evropian, Maja Kocijançiq, për Gazetën Alo, kur është pyetur rreth kërkesës së Gjermanisë për përfaqësues special në dialog.

Sipas Kocijançiqit, vendet e BE-së, vazhdimisht përditësojnë ekipet në grupe të ndryshme punuese.

“Shtetet Anëtare të BE-së përditësohen rregullisht për Dialogun nga Përfaqësuesi i Lartë / Zëvendëspresidenti në Këshillin e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian dhe nga ekipi i saj në grupe të ndryshme punuese të Këshillit të Bashkimit Evropian”, thotë Kocijançiq.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thirrur në takim presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Negociatat e të dielës, sipas palëve, shënojnë fillimin e fazës finale që për synim kanë arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht obligative që çon në normalizimin e raporteve mes dyja vendeve.

Një ditë më parë, duke iu referuar burimeve në Brukselin zyrtar, mediat në Serbi raportuan se Gjermania ka propozuar që në vend të shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, negociatat t’i udhëheqë një përfaqësues special i Unionit.
“Arsye për këtë është se Mogherini në të njëjtën kohë merret me shumë punë dhe nuk ka mjaft kohë t’i kushtojë vëmendje dialogut dhe të zgjidhë problemet që dalin gjatë negociatave. Kjo është arsyeja e idesë që të ketë një përfaqësues të veçantë”, ka thënë ky burim.

Pavarësisht këtyre deklaratave, Brukseli zyrtar rikonfirmoi se nuk mund të ketë një përfaqësues special që mund të jetë lehtësues përveç atij të paracaktuar tashmë, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat