Syla: Samiti i Sofjes, kundërpërgjigjie edhe ndaj Rusisë

Aktuale

Syla: Samiti i Sofjes, kundërpërgjigjie edhe ndaj Rusisë

Më: 17 maj 2018 Në ora: 23:39
Valon Syla

Analisti politik, Valon Syla, ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është shtyrë edhe më fuqishëm në Samitin e Sofjes, ndërkaq për këtë samit ka thënë se ka shërbyer edhe si një kundërpërgjigje e fuqive evropiane ndaj ndikimit rus.

“Dialogu Prishtinë-Beograd nuk po flitet se kur duhet të përfundojë, por po flitet me një agjendë ku përmenden muajt dhe jo vitet, e që mendoj që është një risi që shtyhet nga Sofja më fuqishëm”, ka thënë Syla në Zonën e Debatit.

“Është një agjendë shumë më e përshpejtuar e BE-së”, ka thënë ai.

Ai mendon se kjo është edhe si kundërpërgjigje e fuqive evropiane ndaj Rusisë shkaku i lëvizjeve të fundit dhe prishjeve të marrëdhënieve me Moskën.

“Mendoj që sot është heshtur kjo influenca ruse, dhe i është dhënë një përgjigje më e fuqishme nga Brukseli Zyrtar”.

Syla ka thënë po ashtu se është i dukshëm një përafrim i Gjermanisë me presidentin Hashim Thaçi, për të cilin ai tha se nuk ishte bash i dashur për gjermanët.

“Para katër-pesë muajsh, nuk mund të paramendohej që zonja Merkel do ta vendoste Hashim Thaçin në faqen e saj private. Do të ishte pothuajse e paimagjinueshme, dhe ky mesazh vjen nga  Sofja”, tha Syla pasi sot kancelaria gjermane, Angela Merkel, kishte postuar në profilin zyrtar në Instagram një fotografi duke biseduar me presidentin kosovar, Hashim Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat