Ish-avokati i akuzuar për mashtrim dështon të arrijë marrëveshje për pranim fajësie - Bota Sot
Ish-avokati i akuzuar për mashtrim dështon të arrijë marrëveshje për pranim fajësie

Aktuale

E hënë, 20 gusht 2018

Ish-avokati i akuzuar për mashtrim dështon të arrijë marrëveshje për pranim fajësie

Më: 16 maj 2018 Në ora: 13:00
Gjykimi i ish-avokatit

Ish- avokati Haxhi Çekaj nuk ka arritur të hyjë në marrëveshje me Prokurorinë Speciale që po e ngarkon për veprën penale të mashtrimit.

Kjo seancë e cila është njëra ndër rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave, ishte shtyrë disa herë me arsyetimin e interesimit për negociata në lidhje me marrëveshjen për pranim fajësie.

Por, në seancën e sotme, prokurori Sylë Hoxha dhe avokati Besnik Berisha deklaruan se nuk kanë arritur të hyjnë në marrëveshje për pranim të fajësisë, me ç‘ rast edhe vijoi shqyrtimi gjyqësor.

Pas kësaj, i akuzuari Haxhi Çekaj i pyetur rreth deklarimit të fajësisë, tha se nuk mund të deklarohet, ndërsa gjykata konstatoi se nuk ka pranim fajësie.

Seanca vazhdoi me fjalën hyrëse, ku prokurori Sylë Hoxha, deklaroi se është vërtetuar që i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.

“Është vërtetuar nga hetimet se Çekaj pasi ishte angazhuar nga familja për ta mbrojtur në një çështje penale të Nimon Berishës, fillimisht ka kërkuar një shumë të të hollave prej 5000 mijë eurove por pastaj ka kërkuar edhe shuma të tjera dhe atë duke e mashtruar këtu të dëmtuarën”, tha Hoxha.

Prokurori tregoi më tutje se si i akuzuari arsyetoi kërkimin e të hollave nga e dëmtuara.

“…se i duhet për të paguar një person zyrtar të shkojë në Turqi dhe t’i marrë provat të cilat kinse ishin dërguar nga organet shtetërore për ekspertizë, ndërkohë ka kërkuar shumën tjetër të të hollave për kinse një ekspertizë e cila është dashtë të kryhet në Shqipëri e që ka qenë mashtrim pasi që këto merren me rrugë zyrtare, e jo duke paguar persona te ndryshëm”, tha prokurori Hoxha.

Ai në gjykatë përmendi edhe shumën e të hollave që prokuroria pretendon se ish-avokati Çekaj ia mori të dëmtuarës.

I akuzuari ka kërkuar shumën prej 40 mijë eurove, kinse për anëtarët e trupit gjykues në Pejë ku zhvillohej procedura ndaj Nimanit. Kemi të bëjmë me një shumë prej 80 mijë eurove qe janë marrë kinse për mbrojtjen e Nimon Berishës dhe ne gjatë hetimeve kemi konstatuar se kemi të bëjmë me një mashtrim nga ana e mbrojtësit”, tha Hoxha.

Fjalën e prokurorit e përkrahu edhe e dëmtuara Mirjeta Imeraj, e cila theksoi se do të parashtrojë kërkesë pasurore-juridike.

Më pas, avokati i të akuzuarit, Besnik Berisha, tha se gjatë shqyrtimit do të provohet se e dëmtuara Imeraj me të vërtetë pretendon të jetë viktimë, por jo nga Haxhi Çekaj, por nga policia, prokuroria e gjyqësori që e mbajnë babanë e saj si të dyshuar kryesor për një vrasje që ka tronditur jo vetëm qytetin e Pejës, por gjithë Kosovën.

“Në një situatë të tillë kur prokuroria nuk e di se si sigurohen ekspertizat e mbrojtjes, është për keqardhje, kjo arsyeton pse prokurori ekzagjeron shuma dhe fut në mashtrim… Do të provohet se zonja Imeraj ka bërë gjithçka që të demonstrojë se babai i saj nuk është vrasësi dhe ka dashtë që përmes avokatit të saj të vërtetojë një gjë të tillë. Ekspertizat janë bërë e janë në gjykatë dhe janë bërë me kërkesën e tyre”, shtoi Berisha.

Avokati Berisha theksoi se fakti se kanë dashur ta negociojnë marrëveshjen për pranim të fajësisë ka ardhur si rezultat i gjendjes shëndetësore të Çekajt.

“Propozimi ynë për të negociuar marrëveshjen për pranim të fajësisë si rezultat i gjendjes shëndetësore të të akuzuarit, të mos merret si paragjykim, por kjo çështje të trajtohet në mënyrë objektive deri në fund duke respektuar parimin e pafajësisë”, theksoi avokati.

Pas kësaj, u kërkua që të procedohet me marrjen në pyetje të të dëmtuarës Mirjeta Imeraj, po që një gjë të tillë e kundërshtoi avokati Berisha, me arsyetimin se nuk i ka disa prova relevante për dëshminë e saj.

“Këto prova do të na mundësonin që zonjën Imeraj ta rikujtojmë për veprime të kryera në interes të mbrojtjes së prindit të saj”, u arsyetua avokati Berisha.

Propozimin e avokatit e kundërshtoi prokurori Hoxha, i cili tha se për hir të ekonomizimit të procedohet me marrjen në pyetje të të dëmtuarës, por pa kontestuar sigurimin e shkresave në rastin penal të babait të së dëmtuarës.

“Por, konsideroj se është më ekonomik të vazhdojmë me marrjen në pyetje te së dëmtuarës Mirjeta Imeri ku shihet se e dëmtuara në mënyrë mjaft kronologjike i ka përshkruar të gjitha veprimet dhe takimet me mbrojtësin e babit të saj, Haxhi Çekaj”, shtoi prokurori.

Pas tij fjalën përsëri e mori avokati Berisha, i cili tha se ka diskrepancë në mes të kërkesës së prokurorisë dhe palës së dëmtuar, pasi që e dëmtuara Mirjeta Imeraj ka kërkuar 43 mijë euro, ndërsa prokuroria 83 mijë.

Në fund, seanca është shtyrë me kërkesë të të akuzuarit, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, duke kërkuar që të ndërpritet seanca për të vazhduar drejt në emergjencë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën M.I., nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

Sipas aktakuzës, Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B, babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test