Osmani: Kuvendi në terr informativ sa i përket dialogut me Serbinë, duhet të ketë rol vendimtar

Aktuale

Osmani: Kuvendi në terr informativ sa i përket dialogut me Serbinë, duhet të ketë rol vendimtar

Më: 19 mars 2018 Në ora: 17:02
Komisioni për Punë të Jashtme

Kuvendi i Kosovës duhet të ketë rol kyç në bisedimet e Kosovës me Serbinë, në mënyrë që arritja e marrëveshjeve mes dy vendeve në Bruksel, të mos e gjejë vendin para ndonjë akti të kryer.

Kështu kanë vlerësuar deputetë të Kuvendit të Kosovës, të cilët u mblodhën në takimin e radhës me kryetarë të komisioneve parlamentare të Kuvendit me temën “Roli i komisioneve parlamentare në mbikëqyrje të dialogut Kosovë-Serbi”, të Komisionit për Punë të Jashtme në bashkëpunim me KDI.

Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Vjosa Osmani, tha se Kuvendi ndodhet në terr informativ sa i përket dialogut me Serbinë, derisa shtoi se roli i tij në këtë çështje duhet të jetë vendimtar.

Ajo numëroi disa nga takimet e presidentit Hashim Thaçi me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, për të cilat tha se kanë qenë takime publike, derisa nuk dihet asgjë

Osmani: Kur qytetarët dhe Kuvendi mbesin në terr informativ, mbesin hapësira për spekulime

“Asnjë nga ne nuk e din për darka sekrete, për takime të tjera në margjina të organizmave të tjerë. Uroj shumë që të mos kenë ndodhur ato. Mirëpo normalisht, kur qytetarët dhe Kuvendi mbesin në terr informativ, aty mbesin shumë hapësira për spekulime. 4’50” Ne kemi dy rezoluta që janë në fuqi që e autorizojnë Qeverinë të udhëheqin dialogun e jo presidenti. Prandaj, pa ndonjë dakordim të Kuvendit të Kosovës dhe jo këshilltarëve të Kuvendit, nuk mund të kemi një proces të tillë të udhëhequr nga presidenti. Aq më pak me transparencë zero”, u shpreh Osmani.

Sipas saj, Kuvendi sot nuk është në tavolinë, është vetëm këshilltari i kryetarit të Kuvendit, që sipas saj e përfaqëson vetëm kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin.

Ndërsa Jeta Krasniqi nga KDI tha se roli i Kuvendit duhet të jetë qenësor në dialogun me Serbinë. Ajo tha se Kuvendi i Kosovës ka mandatuar kryeministrin e Kosovës për të udhëhequr procesin e dialogut në Bruksel, ndërsa shtoi se janë duke parë që presidenti i vendit, Hashim Thaçi është duke udhëhequr atë proces.

Krasniqi: Kuvendi i Kosovës nuk është përfshirë në këtë proces

"Ajo çfarë ne jemi duke parë është që me Qeverinë e re dhe me legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës është duke vazhduar e njëjta histori sikur më herët, kur kryeministri i vendit, tashmë ka emëruar një person të ri, z. Avni Arifi si krye-negociator të dialogut teknik, ku Kuvendi i Kosovës nuk është konsultuar, nuk është përfshirë në këtë proces. Dhe mbeten shumë pak informacione ose fare që ndahen me deputetët e Kosovës apo qytetarët se çfarë është duke u diskutuar në kuadër të këtij procesi, cilat janë raportimet”, u shpreh Krasniqi.

Sipas Krasniqit, Kuvendi duhet të jetë epiqendra e gjithë këtij procesi, pasi që në fund të këtij procesi do të nënshkruhet marrëveshja obligative.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Albulena Haxhiu, tha se nuk mund të bëjë thirrje të zbatohen marrëveshjet që janë në dëm të Kosovës.

Për këtë ajo tha se është fajtor presidenti Hashim Thaçi, i cili sipas saj ka shkelur dhe po e shkelë Kushtetutën.

Haxhiu: Thaçi ka marrë në mënyrë autoritare udhëheqjen e këtij procesi

“Është komplet e papranueshme që z. Thaçi ka marrë në mënyrë autoritare udhëheqjen e këtij procesi, tash sa është president. Sepse ne e dimë se përgjegjësit më të mëdha të Zajednicës dhe gjithë procesit të dialogut përgjegjës kryesor është Hashim Thaçi. Dhe në vazhdimësi ka neglizhuar dhe ka shkelur Kuvendin dhe Republikën e Kosovës, siç po bënë edhe tani”, tha Haxhiu.

Sa i përket dialogut, deputetja Albulena Haxhiu tha se duhet të ketë një komision hetimor që do të vlerësonte secilën marrëveshje të nënshkruar në Bruksel.

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Driton Selamanaj, bëri disa pyetje dhe dha propozime sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

Selmanaj: Ekipi i cili po e përfaqëson Kosovën në Bruksel më tepër po i ngjan një ekspedite turistësh

"Është joserioz ekipi i cili po vazhdon të shkojë atje për të përfaqësuar Kosovën. Unë mendoj se më tepër po i ngjan një ekspedite turistësh se sa përfaqësuesve serioz shtetëror. Çështja e dytë është se kush i dha leje presidentit që të integrohet në këtë proces... Çfarë mendoj unë është që të del një letër të përbashkët e cila i kërkon Qeverisë të na sjellë në Kuvend. Në fakt e ka edhe një informatë, mënyrën se si e ka caktuar këtë ekip, kush janë këta njerëz, sa janë kompetent dhe cilat janë tematikat”, tha ai.

Edhe zëvendëskryetarja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Besa Gaxherri, kërkoi që opozita dhe pozita të kapin në dorë këtë çështje duke marrë llogari për marrëveshjet e arritura, në mënyrë që vendi të mos humbas kohë.

Ndërsa deputetja Besa Baftiu, kryetare e Komisionit për Shëndetësi, tha se Serbia nuk është përgjigjur asnjëherë për shkeljet e ndonjë marrëveshjeje./

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat