Deputeti në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, në media sot ka deklaruar se Demarkacioni është me rëndësi për shqiptarët e Kosovës, por për serbët në Kosovë shumë më i rëndësishëm është formimi i AKS-së dhe avancimi i pozitës së serbëve në Kosovë.
Derisa kur bëhet fjalë për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, Simiq ka deklaruar se në Kosovë, sipas rezolutës 1244, KFOR është e vetmja forcë legjitime e armatosur dhe se kështu do të mbetet.
E deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Kuqi, në një prononcim për “Bota sot” tha se Lista Serbe çdo herë ka qëllime që të krijojë probleme për shumë çështje funksionale në vend.
Sipas Kuqit, çështja e formimit të ushtrisë së Kosovës është një proces që duhet të përfundojë për shtetësinë e Kosovës.
“Lista Serbe çdo herë ka qëllime me pas jo vetëm probleme në krijimin e ushtrisë, por edhe probleme për çështje tjera funksionale. Unë nuk besoj se do të jetë përcaktuese Lista Serbe në formën siç janë duke vepruar kohëve te fundit. Çështja e formimit të ushtrisë së Kosovës është një proces që duhet të përfundojë për shtetësinë e Kosovës”, tha deputeti i AAK-së, Blerim Kuqi për “Bota sot”.
Kujtojmë se formimi i Ushtrisë së Kosovës që disa vite ka mbetur një ndër problemet kryesore në vend.
Ndërsa, nga Qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje thonë se janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për të arritur transformimin e FSK-së në Ushtri.