Josa: Jemi gati për të sfiduar Tiranën

Sporti

Josa: Jemi gati për të sfiduar Tiranën

Më: 30 nëntor 2015 Në ora: 09:09

Nga Stambolli në Tiranë, skuadra e Mirel Josës po luan një nga sezonet më të ngjeshur të viteve të fundit.

Pas disfatës turke, ekipi i Skënderbeut ka nisur të mendojë për sfidën e javës së 13 kundër bardhebluve në “Selman Stërmasi”. Në kompleksin “Tropikal”, Josa po u jep dorën e fundit përgatitjeve për sfidën e radhës. Trajneri i kampionëve e pranon se kalendari i ngjeshur po krijon një situatë të pazakontë por premton se skuadra do të jetë gati për ta përballuar me sukses ndeshjen e së Hënës.

Mirel Josa: “Kemi dy objektiva. I pari që ekipin ta rikuperojmë sa më shpejt nga ndeshja me Beshiktashin dhe e dyta që ta kemi në gadishmëri për ndeshjen me Tiranën”.

I pyetur nga Sport News nëse ndaj Tiranës do të mjaftonte një paraqitje si ajo ndaj Beshiktashit për të arritur te fitorja, Josa deklaron.

Mirel Josa: “Nuk mund të flas me emra të veçantë por do të më interesonte një lojë e tillë, e ngjeshur. Ndeshja me Tiranën do të jetë një sfidë teknike dhe jo fizike. Këto janë disa gjëra që futbollistët i kanë individualisht”.

Në vijim të intervistës, Josa nuk zbulon asnjë detaj nga formacioni dhe nënvizon se nuk ka rëndësi moduli i lojës por sjellja që do të ketë ekipi i tij në fushën e lojës.

Mirel Josa: “Nuk do të thotë asgjë nëse do të luhet me dy sulmues por mënyra se si do të vendosen në fushë kur topin ta kemi ne apo kundërshtarët”.

Përkohësisht Partizani është shkëputur në krye të klasifikimit me 7 pikë më shumë se Skënderbeu, por për Josën nuk është vetëm ecuria e të kuqve që duhet ta shqetësojë skuadrën e tij.

Mirel Josa: “Ne e kemi ndjekur ndeshjen e Partizanit në Kukës. Nuk ka presion sepse çdo skuadër duhet të bëjë punën e vet. Gjithsesi nuk duhet lejuar një tjetër shkëputje me Partizanin edhe pse nuk janë vetëm ata në garën për titullin”.

Në seancën e fundit stërvitore ishte i pranishëm edhe kapiteni Blendi Shkëmbi, i cili do të jetë në dispozicion të bardhekuqve. Pjesa tjetër e skuadrës u stërvit rregullisht duke iu nënshtruar fillimisht disa ushtrimeve në lojën me top dhe më pas u vendos nën urdhrat e përgatitësit atletik. Pjesa e tretë e seancës stërvitore u përqëndrua te përgatitjet e fundit teknike të grupit bardhekuq.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat