Ikin serbët në 3 të mëngjesit, me fitore

Sporti

Ikin serbët në 3 të mëngjesit, me fitore

Më: 9 tetor 2015 Në ora: 09:01

Rreth orës 03:00 të së premtes kombëtarja serbe e futbollit është larguar nga aeroporti i Rinasit për në Serbi.
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se gjatë shoqërimit të autobusit, nga “Elbasan Arena” deri në aeroportin e Rinasit, nuk ka pasur asnjë incident.

Mësohet se para se të largoheshin në drejtim të Rinasit, ambasadori i Serbisë në Tiranë, Miroljub Zariç dhe Shefi Sigurisë së Federatës Serbe, ish-gjeneral i Policisë Serbe, Milivoj Mirkov, kanë zhvilluar një takim falenderimi me Drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe Drejtorin e Përgjithshëm për Sigurinë, Altin Qato. Në këtë takim, Zariç ka falenderuar drejtuesit e Policisë së Shtetit për masat perfekte.

“I befasuar nga masat e Policisë Shqiptare. Plan masash dhe organizim e zbatim perfekt. Kam qenë në shumë vende, por masa të tilla nuk kam parë. Faleminderit për angazhimin tuaj personal mbrëmjen e djeshme të incidentit me autobusin, por masat e marra nga policia e bënë atë incident të izoluar e pa pasoja”, mësohet t’i ketë thënë Shefi Sigurisë së Federatës Serbe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Ndërkohë, Çako i është drejtuar zotit Milivoj Mirkov: “Unë e fitova ndeshjen time si polici. Si shqiptar keqardhje që humbëm. Angazhim e seriozitet i punonjësve të policisë për 48 orë rresht, mirënjohje e falenderim për ta. Falenderim edhe për tifozët për qytetarinë që treguan në shkallët e “Elbasan Arena”-s, por dhe jashtë tij. Bashkëpunuam me të gjitha agjecitë e zbatimit të ligjit. Punuam një muaj rresht për ta përmbyllur me sukses”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat