Mustafa: Kjo fazë është më e lodhshmja

Sporti

Mustafa: Kjo fazë është më e lodhshmja

Nga: Kemajl Goca Më: 28 korrik 2015 Në ora: 10:47

Shumica e skuadrave përgatiten me përkushtim për betejat që i presin dhe me synime që të startojnë sa më mirë në edicionin e ri në Raiffeisen Superligë. Futbollisti i Trepçës ’89, Argjend Mustafa, tha se kushtet e mira janë edhe plus që të punojnë me intensitet të shtuar dhe në kërkim të formës më të mirë. Ai beson se do janë në nivel deri në fillim të kampionatit dhe të tregojnë forcën e një skuadre me renome siç është ’89-shi.

Finalisti i Kupës së Kosovës në edicionin e kaluar mëton të luftojë për trofe. Mitrovicasit duken një skuadër më e organizuar, më e fortë dhe që do të janë ‘arrë’ e fortë për të gjitha ekipet. Ata përgatitjet i zhvillojnë me ritëm të shtuar dhe me synim që t’i evitojnë të gjitha gabimet eventuale. “Puna po shkon shumë mirë me trajnerin e ri.

Arsim Thaçi dhe jemi shumë të kënaqur. Të gjithë e dimë se kjo fazë është më e lodhshmja se të tjerat”, thotë Mustafa, i cili ngulë këmbët se gjithmonë ’89-shi ka qenë forcë e elitës. “Stërvitjet po i kryejmë në stadium, pasi që ka kushte të mira për punë. ’89-shi gjithmonë ka qenë dhe do të jetë forcë për kampionat. Shpresoj që këtë edicion të fitojmë një trofe”, tha mesfushori, i cili shpreson se edicioni i ri do të jetë më konkurrues në mes skuadrave. “Edicion i ri besoj që do të jetë shumë më konkurrues se ai që e lamë pas”, theksoi ai.

“Besoj që përgatitjet që jemi duke i bërë me trajnerin e ri, sigurisht me ndihmësin e tij, Enver Tahiri, që po bënë përgatitje të shkëlqyeshme, ka me ndikuar që ne të kallëzojmë paraqitje sa më të mira, të paktën në aspektin fizik”, thotë futbollisti. Çfarë i mungon futbollit në përgjithësi? “Futbollit tonë, dihet që i mungojnë kushtet për punë, edhe ajo financiare”, thotë Mustafa, i cili parashikon se mes tri-katër skuadrave do të jetë rivaliteti në luftë për titullin e kampionit. “Besoj që Besa, Feronikeli, Prishtina e Hajvalia, do të jenë ekipe më të forta. Gjithsesi pres që të jetë një kampionat me rivalitet të madh dhe interesant edhe për shikuesit”, ka thënë Mustafa.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat