Një hap historik për basketbollin e Kosovës!

Sporti

Një hap historik për basketbollin e Kosovës!

Nga: K.Goca Më: 3 korrik 2015 Në ora: 18:48

Kombëtarja e Kosovës U-20 dhe ajo U-16 në basketboll (meshkuj) janë të gatshme për sfidat e mëdha që i presin në fillim të javës së ardhshme. Të dyja kombëtaret janë përgatitur maksmalisht dhe synojnë paraqitje dinjitoze në Kampionatin Evropian për grup-moshat e tyre. Kosova u-16 me 6 korrik do të zhvillojë sfidën e parë, e cila në San Marino ndeshet me Gjibraltarin.

U-16-shi kërkon fitore ndaj Gjibraltarit, një rival jo edhe i njohur për ne, kurse Kosova U-20 është në divizionin B, në grup me Gjeorgjinë, Portugalinë, Malin e Zi dhe Luksemburgun. Kampionati Evropian për U-20 zhvillohet në Hungari, kurse Kosova U-20 me 9 korrik sfidohet nga Portugalia. Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Erolld Belegu, shpreson se djelmoshat do të japin maksimumin dhe do të shënojnë rezultate të mira. Ai këto dy ngjarje i quajti edhe historike.

Përzgjedhësi i kombëtares U-20, Ilir Selmani, mendon se me punën që kanë bërë gjatë përgatitjeve kanë arritur të janë në nivelin e duhur dhe pretendojnë paraqitje të denjë, ani se e kanë parasysh se grupi është shumë i fortë. “Përgatitjet kanë filluar përafërsisht që dy muaj dhe kanë shkuar sipas plan-programit të paraparë, kështu që nuk kemi asnjë problem që mund të evidentohet. Brenda dy muajve kemi zhvilluar tri ndeshje miqësore që kanë qenë që të kompozohen sa më mirë dhe besoj se në Hungari do të përfaqësojmë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Selmani. Erolld Belegu tha se është kënaqësi të jesh pjesë e këtyre garave dhe për herë të parë në histori.“Është hera e parë dhe kam kënaqësinë që para jush të prezantojë dy përfaqësueset e Kosovës të cilat për herë të parë do të mbrojnë ngjyrat e Kosovës, dhe për herë të parë do ta përfaqësojnë shtetin tonë në një garë ndërkombëtare të FIBA-së.

U-16 është ekipi që do të ketë ndeshjen e parë ndërkombëtare që luhet më 6 korrik në San Marino kundër përfaqësues së Gjibraltarit dhe më këtë them se do të regjistrohet edhe një hap historik për basketbollin e Kosovës, e ne natyrisht se shpresojmë në një sukses sa më madh në dy garat”, ka thënë Belegu. "Dy përfaqësueset tona ka kohë që janë duke u përgatitur dhe janë përgatitur intensivisht për këto evenimente të mëdha evropiane", theksoi Belegu. Në konferencë janë prezantuar edhe dy sponsorët e përfaqësues U-16 dhe U-20, si kompania IPKO dhe TEB.

Përfaqësuesi i IPKO-s, Alban Kastrati shprehet se është i lumtur që mbështesin basketbollin. Sipas tij, IPKO ka besuar në basketbollin e Kosovës, në klubet, në talentin e lojtarëve. "IPKO do të vazhdojë të mbështesë basketbollin e Kosovës, sepse sipas tij, këta djem do të përfaqësojnë në mënyrën më të mirë Kosovën në garat ndërkombëtare. Përfaqësuesi TEB, Ten Orcun Ozdemir, premtoi se TEB do të vazhdojë të jetë në përkrahje të basketbollit të Kosovës.

Përzgjedhësi i përfaqësues U-16, amerikani Chris Dial, është i bindur se djelmoshat do të tregojnë maksimumin dhe do të nxjerrin më të mirën në evropian. “Fillimisht dua të falënderoi sponsorët, sepse pa ndihmën e tyre një pjesë e përgatitjeve nuk do të ishte e mundur dhe një pjesë e punës së federatës do të shkonte pa u vërejtur dhe tani është momenti që të tregojmë atë që kemi punuar.

Mbetet të shohim se sa të suksesshëm do të jemi në ndeshjet e kampionatit”, ka thënë Dial. Në konferencë ishin të pranishëm dhe basketbollistët U-16 dhe U-20, ku në fytyrat e tyre shihej një gëzim i madh që do të janë pjesë e garave më të rëndësishme. Të gjithë djelmoshat ishin të motivuar dhe secili me bindje se do të tregojnë lojëra të mira që të arrijnë rezultate të lakmueshme nga kjo ngjarje e madhe. U-16 dhe U-20 zotohen se do të japin gjithçka nga vetja për të dëshmuar se e kanë merituar që moti të janë pjesë e ngjarjeve të mëdha.

Kosova ndaj Portugalisë

Kosova U-20 do të garoj në Kampionatin Evropian U-20, Divizioni B, Grupi B, së bashku me Gjeorgjinë, Portugalinë, Malin e Zi dhe Luksemburgun. Garat e këtij Divizioni do të zhvillohen prej 9 deri më 19 korrik 2015 në Szekesfehervar të Hungarisë. Kosova ndeshjen e parë do ta luaj me Portugalinë më 9 korrik.

Ja lista e U-20:
Musab Mala, Lori Kllokoqi, Leonard Mekaj, Ujkan Karanez, Eris Nushi, Agon Selmani, Blendi Kadushi, Mërgim Jakupi, Burim Zekiqi, Samir Zekiqi, Arian Mehmeti, Mirza Muriq. Përzgjedhës: Ilir Selmani.

Lista e U-16:

Kreshnik Avdija, Almir Berisha, Edison Gashi, Dardan Kapiti, Atik Koshi, Etnik Peci, Dion Pllana, Erjon Qarkaxhija, Engjell Ramaj, Ylldrit Sahiti, Deniz Simnica dhe Andi Vrapcani. Përzgjedhës: Chris Dial

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat