Pole Position i Iannone në provat zyrtare në Itali

Sporti

Pole Position i Iannone në provat zyrtare në Itali

Më: 30 maj 2015 Në ora: 18:32

Surprizon Andrea Iannone. Piloti italian i Ducatit regjistroi një pole-position fantastik në Mugello duke lënë pas Jorge Lorenzon me Yamaha që kishte dominuar provat e treta të lira. Iannone e ndali kronometrin me kohën 1 minutë 46 sekonda 489 të mijtat duke qenë më i shpejti në Cmimin e Madh të Italisë dhe në garën e të Dielës do të niset nga vendi i parë. Vetëm 95 të mijtat e sekondit më e ngadaltë se e Iannones ishte xhiroja e shpejtë e Jorge Lorenzos, ndërsa nga pozicioni i tretë në Mugello do ta startojë garën piloti tjetër i Ducatit, Andrea Dovizioso. Zhgënjeu Valentino Rossi që regjistroi vetëm kohën e tetë më të mirë në cirkutin e tij të preferuar.

Doktori do ta ketë shumë të vështirë që këtë vit të regjistrojë fitoren e tij të 10-të në Cmimin e Madh të Italisë ku favorit për suksesin final është fituesi i dy garave të fundit spanjolli Jorge Lorenzo. Akoma edhe më keq shkuan gjërat për kampionin e Botës Marc Marquez që u pozicionua në vendin e 13-të duke mos u kualifikuar dot as në sesionin e dytë të këtyre provave zyrtare. Nga radha e dytë e nisjes në Mugello do ta startojnë garën tre emra surprizë si Cal Crutchlow, Aleix Espargaro dhe Michele Pirro që regjistruan respektivisht kohën e 4-t, të 5-të dhe të 6-të më të mirë. I 7-ti do të niset Daniel Pedrosa që e pilotoi Hondan e tij HRC, 386 të mijtat e sekondës më ngadalë se kryesuesi Andrea Iannone.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat