Flamurtari gati, duan Superligën

Sporti

Flamurtari gati, duan Superligën

Më: 5 mars 2015 Në ora: 10:00

KF Flamurtari është gati për pjesën e dytë të garave. Kështu thonë drejtuesit dhe disa nga futbollistët e kuqezinjve të Prishtinës.

Pjesa e dytë e garave në Ligën e Parë të Kosovës në futboll, nis këtë fundjave.
Stinori pranveror pritet të jetë i “nxehtë” për skuadrat që synojnë një vend që çon në elitën e futbollit, derisa e gare interesante pritet të luhet edhe zonën e rrezikshme të tabelës.

KF Flamurtari aktualisht ndodhet në pozitën e tretë të renditjes tabelore, dhe kjo skuadër objektiv do ta ketë rikthimin në Superligë.

Trajneri i Flamurtarit, Jusuf Tortoshi i ka thënë KosovaPress-it se është i kënaqur me punën që është bërë në përgatitje. Sipas tij, kuqezinjtë janë gati për sfidat pranverore.

Tortoshi: Ne jemi gati

“Qysh nga 19 janari kemi nisur me përgatitje, kështu që kishim mjaft kohë për tu përgatitur. Finalizimin e përgatitjeve e bëmë në Durrës, ku qëndruam një javë ditë. Patëm gjitha mundësitë që të finalizojmë punën më topa, ku edhe i zhvilluam katër lojë. Pak a shumë jam i kënaqur me ekipin”, ka thënë Tortoshi.

Njeriu i parë i bankinës së Flamurtarit, ka folur edhe për objektivat e skuadrës së tij në këtë sezon. Sipas Tortoshit, ambiciet e skuadrës së tij janë një pozitë që çon në Superligën e Kosovës.

Tortoshi: Të paktën e duam barazhin

“Objektivat na imponuan, po na imponon edhe tabela, ku jemi në vendin e tretë, më siguri që nuk do të dorëzohemi orari është jo i përshtatshëm bash për ne, sa për Llapin, Gjilanin apo Lirinë, edhe KEK-u, por pa marrë parasysh ne do të mundohem të luajmë mirë dhe angazhimin maksimal t’i arrijmë objektivat tona, të paktën deri të barazhi”, ka theksuar Tortoshi.

Ai mendon se Llapi, Gjilani, Flamurtari, Liria, por edhe KEK-u do të jenë skuadrat që luftojnë për kreun e tabelës.

Edhe kapiteni i Flamurtarit, Korab Hasani mendon se skuadra e tij është e gatshme për fazën e dytë të garave. Korabi thotë se skuadra e tij më kohë ka nisur përgatitjet, dhe sipas tij, tashmë Flamurtari është gati për aventurat pranverore. Sipas Hasanit, është bërë punë e mirë gjatë përgatitjeve, sidomos ai thotë se punë efektive është bërë në përgatitjet që Flamurtari i ka zhvilluar në Durrës. Edhe Hasani thotë se synimet e skuadrës së tij janë rikthimi në Superligë, madje sipas tij, kjo skuadër aty e ka vendin.

Hasani: Do ta rikthejmë Flamurtarin aty ku e ka vendin

“Ma merr mendja se jemi përgatitur mirë. Kemi një trajner me eksperiencën në futbollin tonë siç dihet është trajneri më i trofshim në Kosovë. Me punën e tij që po bën këtu dhe jemi një ekip i ri që duam të luajmë, e dojmë futbollin dhe duam që ta kthejmë Flamurtarin aty ku e ka vendin. Ambiciet e klubit në fillim të kampionatit kanë qenë mesi i tabelës, por me rezultatet që i kemi arritur që pak kush i ka pritur, na u kanë rritur ‘apetitet’ dhe mendojmë se do ta kthejmë Flamurtarin aty ku e ka vendin pas tri viteve”, ka pohuar Hasani.

Ndërkohë, edhe Granit Cana, njëri ndër futbollistët më të mirë tek Flamurtari, mendon se skuadra e tij është e përgatitur mirë për betejat pranverore. Sipas tij, faza kryesore e përgatitjeve është zhvilluar në Durrës. Cana beson se Flamurtari do të jetë një nga skuadrat që luftojë për të siguruar një pozitë që çon në Superligë.

Cana: Edhe në pranvere do të vazhdojmë më lojëra të mira

“Ka tri ditë që jemi kthyer prej përgatitjeve, ku kemi qenë në Durrës ku kemi zhvilluar fazën kryesore përgatitore, kemi qëndru një javë dhe kemi zhvilluar disa ndeshje kontrolluese, e të cilat mund të na kryejnë shumë punë në kampionat dhe mendoj se jemi mirë të përgatitur për ta filluar kampionatin. Është e vërtetë pasi që fazën e parë të kampionatit kemi qëndruar më një kontinuitet shumë të mirë, kemi bërë lojëra shumë të mira dhe mendoj se do të vazhdojmë më lojëra të mira. shpresojmë së po”, ka pohuar Cana.

Kuqezinjtë janë të bindur se Flamurtari ka potencial që të arrijë objektivat, rikthim në mesin e skuadrave elitare të vendit tonë. /KosovaPress/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat