Ibrahimi: Do të tregojmë se kush jemi!

Sporti

Ibrahimi: Do të tregojmë se kush jemi!

Nga: Kemajl Goca Më: 22 gusht 2014 Në ora: 18:49

Futbollisti Labinot Ibrahimi shpreson se do të jetë edhe më i efektshëm me Partizanin e Tiranës në edicionin e ri në Kampionatin e Shqipërisë. Ai është i gëzuar që skuadrës iu bashkua edhe shoku i tij, Astrit Fazliu, me të cilin një kohë ka luajtur në KF Prishtina. Futbollisti nga Lypjani tha se në Partizan punohet me intensitet të shtuar dhe synimi është që të luftojnë për titull dhe Kupën e Shqipërisë. Mbrojtësi pretendon se kanë ekip që mund ta sfidojnë kampionin në fuqi, Skënderbeun nga Korça. “Te Partizani ndihem mirë edhe pse ka pas largime të shokëve të mi nga Kosova. Kështu e ka futbolli sa këtu sa atje dhe ndodhin edhe lëvizjet”, tha Ibrahimi për gazetën kombëtare “Bota sot”. Si ndihesh që ekipit të Partizanit iu bashkua shoku yt, Fazliu, që së fundi ishte pjesë e Shkëndijës nga Tetova? “Ndihem shumë i lumtur që na u bashku një shok si Astrit Fazliu, pasi e kam pasur edhe bashkëlojtarë te Prishtina dhe kam shok të jetës, ku tash jemi edhe me një dhomë”, thotë ai. Partizani është prej skuadrave më të forta dhe që kërkon edhe titullin dhe Kupën. “Synimet e Partizanit këtë kampionat dihen qysh në fillim të fazës përgatitore kur kemi filluar si për shembull Kupa dhe titulli i Shqipërisë. Kampionati duhet të fitohet, këtë e ka thënë edhe trajneri i cili ka ardhur për këto trofe”, shpreh optimizmin Ibrahimi. Futbollisti parashikon luftë interesante për titull në mes disa skuadrave. “Kandidatë për titull janë të gjitha skuadra pothuajse, duke e parë cilësinë e tyre. Kampionati do të jetë shumë i fortë, pasi ekipet janë përforcuar tepër në këtë drejtim. Për titull mund t’i theksoj disa me emra, si: Partizani, Skënderbeu, Kukësi, Flamurtari, Laçi, Teuta dhe Tirana”, thotë Ibrahimi. A besoni se Partizani do të jetë sfidues i Skënderbeut, kampion në fuqi? “Mendoj që po! Sepse ata po na nënçmojnë në çdo aspekt por do t’i tregojmë këtë vit se kush është Partizani”, ka thënë Ibrahimi. “Në Partizan tash për tash nga Kosova jemi unë, Amir Rrahmani, Argjend Mustafa, Liridon Osmanaj, Mentor Mazrekaj, Astrit Fazliu”, tha Ibrahimi. “Si mbrojtës premtoj se me Partizanin do të mundohem t’i fitojmë të dy trofetë në Shqipëri dhe të tregojmë lojëra sa më të mira”, shtoi ai. Kosova më 7 shtator luan me kombëtaren e Omanit, a pret ftesë nga përzgjedhësi Albert Bunjaku? “Mezi po pres ftesën nga Kosova, nga vendi im, aty ku jam rrit dhe me merr malli për të”, thotë Ibrahimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat