Agjenti i Neymar: Scolari je një idiot

Sporti

Agjenti i Neymar: Scolari je një idiot

Më: 9 korrik 2014 Në ora: 21:49

Tashmë që intensiteti i përmbytjes që shkaktoi shiu gjerman është ulur, po dalin në sipërfaqe edhe rrënojat e kësaj katastrofe. Luis Felipe Scolari mori përsipër gjithë përgjegjësitë e disfatës por mesa duket kjo nuk mjafton. Nga heroi i futbollit brazilian, ai po e shikon veten brenda pak orëve në të akuzuarin kryesor të një tragjedie që tronditi një popull të tërë. Akuzat vijnë nga çdo anë; Federata, shtypi dhe tifozët, madje edhe nga ata që e kanë mbuluar me elozhe edhe kur nuk ka qenë nevoja. Në listën e njerëzve që dalin kundër trajnerit shtohet edhe agjenti i Neymar, i cili adreson fjalë të rënda në drejtim të “Big Fil”. “Të mos fitosh asgjë me Portugalinë, të të përzenë nga Chelsea, të stërvisësh në Uzbekistan, të çosh Palmeirasin në kategorinë e dytë, madje të tërhiqesh 56 ditë përpara për të evituar rënien nga kategoria do të thotë të jesh një idiot ose një arrogant i shpifur, prepotent dhe qesharak”.

Një qëndrim gati gati unikal por pesha në supet e Scolarit rëndohet edhe më shumë me deklaratën e zv/presidentit të federatës, Anche Delfim sipas të cilit, trajneri gaboi në gjithçka. Ai shton se e garanton të gjithë popullin brazilian se nuk do të stërvisë më asnjëherë në jetën e tij një kombëtare të Brazilit. Një deklaratë që konfirmon vendimin për ta larguar Scolarin menjëherë pas finales për vendin e tretë sepse federata i ka ndezur dritën jeshile Leonardo Bacchi-t, i njohur nga të gjithë si “Tite”. 53-vjeçari që ka drejtuar Coirinthians në vitin 2012 kur fitoi edhe Copa Libertadores, është i lirë nga çdo impenjim. “Tite” nuk është i vetmi emër në listë pasi mediat braziliane hedhin hipoteza edhe për afrimin e një trajneri europian, një pistë që gjithsesi mbetet e vështirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat