Kërkohet rinovimi i Pallatit të Rinisë, institucionet premtojnë intervenim të shpejtë

Sporti

Kërkohet rinovimi i Pallatit të Rinisë, institucionet premtojnë intervenim të shpejtë

Më: 14 maj 2023 Në ora: 12:27
Foto ilustrim

Numri i madh i ndeshjeve vendore dhe ndërkombëtare që po zhvillohen në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve ka bërë që kjo palestër të demolohet dhe tashmë të mos i plotësojë as kushtet elementare për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Kjo ka bërë që dy prej federatave që kanë numrin më të madh të aktiviteteve në këtë sallë, Federata e Basketbollit dhe ajo e Hendbollit të kërkojnë urgjentisht intervenimin dhe rinovimin e kësaj palestre.

Sekretari i Federatës së Hendbollit, Izet Gjinovci, thotë se zhvillimi i garave ndërkombëtare në Kosovë varet nga kushtet që ofron kjo palestër, madje, ai zbulon se kanë afat nga Federata Evropiane e Hendbollit që palestra të jetë gati më së largu deri më 15 qershor.

Gjinovci: Kërkojmë intervenim urgjent në palestër para garave ndërkombëtare

“Duke e ditur infrastrukturën, gjendjen e cila është për momentin në të vetmen palestër e cila deri diku i plotëson kushtet për një garë ndërkombëtare, Pallati i Rinisë këtu në Prishtinë, atëherë ka qenë i domosdoshëm një takim, të koordinohemi që ne të kemi një kërkesë që nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës të bëhen intervenimet urgjente që këto gara të kalojnë si është më së miri ngase i kemi edhe afatet e caktuara nga Federata Evropiane ne, me siguri edhe ata i kanë nga FIBA që këto kushte të plotësohen më së largu deri më 15 qershor”, thotë Gjinovci.

Gjinovci për KosovaPress thotë se palestra ka nevojë për rinovim total duke filluar nga parketi e deri tek zhveshtoret.

Gjinovci: Pelestrës i mungojnë kushtet elementare

“E gjithë infrastruktura, duke filluar nga dyshemeja që është kryesore, pastaj pjesa e publikut ngase mungojnë shumë ulëse, pastaj duhet dezinfektuar, lyer sepse nuk e ka atë shkëlqimin çfarë duhet ta kenë, pastaj janë zhveshtoret ku janë nyjat sanitare që duhet rregulluar, pastaj dihet se një zhveshtore duhet t’i ketë 40 metra katrorë për t’i plotësuar kushtet elementare për një skuadër, ne nuk i kemi ato, kemi diku 20 m2, prandaj duhet një ndërhyrje më e madhe... Pastaj është pjesa tjetër e lokaleve përcjellëse siç është dhoma e antidopingut, dhoma e medicinës e shumë të tjera që janë standarde të Federatës Evropiane”, thotë ai.

Se mosrinovimi i kësaj palestre do ta rrezikonte edhe pjesëmarrjen e klubeve kosovare në garat ndërkombëtare që zhvillohen në Kosovë e thotë sekretarja e Federatës së Basketbollit, Elvira Dushku.

Megjithatë, ajo shprehet optimiste se MKRS do të intervenojë në sanimin e kësaj gjendjeje.

Dushku: Nëse nuk intervenohet, nuk do të mund të luajmë në garat ndërkombëtare

“Nëse nuk intervenohet, Federata e Basketbollit e Kosovës, por edhe klubet e Prishtinës në rast se paraqiten në gara ndërkombëtare nuk do të mund të luajnë në këtë palestër, kjo është përfundimtare. Ne i kemi marr dy - tre letra dhe me këto letra kemi shkuar në institucionet tona dhe deri më tani ende nuk është bërë ndërhyrja, por kemi marr shumë sinjale pozitive që për një afat shumë të shkurtër do të bëhet ndërhyrja sidomos në parket po edhe në zhveshtore edhe çdo që sa i përket kësaj pjesës sportive... Sa i përket Ministrisë së Sportit, e di shumë mirë që do të intervenohet në një afat shumë të shkurtër sepse ata janë zotuar që do ta kryejnë këtë punë dhe deri më tani zotimet që i kanë bërë u janë përmbajtur”, thekson Dushku.

Nga Komuna e Prishtinës, thonë se po presin intervenimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Drejtori i Drejtorisë së Sportit në këtë komunë, Granit Rugova, thotë se po bahskëpunojnë me ministrinë përkatëse në mënyrë që të bëhet një rinovim total i Pallatit të Rinisë.

Rugova: Po presim intervenimin e MKRS-së në Pallatin e Rinisë

“Jemi në dijeni nga viti i kaluar dhe është një kërkesë që duhet të trajtohet urgjentisht sepse për momentin Pallati i Rinisë është i vetmi pallat ku mund të organizohen disa gara ndërkombëtare. Kam informata nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që kanë marr hapa për të ndërhyrë aty, ne po presim që ta dimë saktë me çfarë po ndërhynë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e pastaj të shohim edhe nga pjesa e komunës se me çfarë ne mund të ndërhyjmë aty të rinovojmë dhe në fund të fundit të rinovohet në tërësi si hapësirë e cila është shumë e nevojshme për sportet e Prishtinës mirëpo edhe gjithë Kosovës”, thekson Rugova.

E nga Ministria e Sportit përmes një përgjigje me shkrim kanë konfirmuar për KosovaPress se së shpejti hapet procedura për rinovim të parketit, koshave edhe ulëseve në këtë sallë.

“Dosja për funksionalizim është e përfunduar por për shkak se pallati është nën mbrojtje, është dashur të kalohet në procedurat e kërkuara nga institucionet, përkatësisht hapi i fundit ka qenë Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Të mërkurën pritet rekomandimi prej IKMM-së edhe vazhdon menjëherë hapet procedura për rinovim të parketit, koshave edhe ulëseve në sallë”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së.

Kujtojmë se gjatë muajit korrik, në këtë palestër do të zhvillohen dy gara ndërkombëtare, Kampionati Evropian i Hendbollit U19, divizioni B për vajza dhe Kampionati Evropian i Basketbollit U16 divizioni C për vajza.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat