Rezistenca ndaj kapeleve speciale të notit nxjerr në pah diskriminimin në këtë sport

Sporti

Rezistenca ndaj kapeleve speciale të notit nxjerr në pah diskriminimin në këtë sport

Më: 7 gusht 2021 Në ora: 22:12
Alice Dearing

Vendimi për të mos lejuar në Olimpiket e Tokios kapele të mëdha noti që përdoren nga notarë me flokë të dendur apo me gërshetat karakterisitike ‘dreadlocks’ të afrikano-amerikanëve, ka nxjerrë në pah mungesën e larmisë racore në garat e këtij sporti. Pas presionit nga notarë të njohur, në veçanti britanikja Alice Dearing, një afrikano-britanike që përdor një kapele të veçantë gjatë garave, Federata Ndërkombëtare e Notit ka pranuar ta rishikojë vendimin gjë që ka zgjuar shpresat se konkurrentë nga një larmi racash do të përfshihen në të ardhmen në këtë sport deri tani të dominuar nga të bardhët.

Në klubin e notit Hackney në Londër, notarët janë entuziastë për pjesëmarrjen e britanikes Alice Dearing në garat e Tokios. 24-vjeçarja Dearing ka marrë famë kombëtare pasi është e para afrikano-britanike në ekipin olimpik.

Ajo e ka shfrytëzuar famën për të reklamuar kapelen Soul Cap, një kapele noti më e madhe se e zakonshmja dhe më e përshtatshme për flokët e dendur dhe voluminozë të personave me prejardhje afrikane.

Federata Ndërkombëtare e Notit bllokoi përdorimin e kësaj kapeleje në Olimpiket e Tokios. Pas vendimit, shumë kanë ngritur zërin për të theksuar se pengesa të tilla e bëjnë të vështirë popullarizimin e notit për shtresa të caktuara të popullatës.

Trajneri i notit, Tony Cronin e quan impenjimin që kërkon mbajtja e flokëve për notarët afrikano-britanikë thuajse një punë me orar të plotë.

"Tani, me krijimin e këtyre kapeleve speciale për këta notarë bëhet disi më e lehtë. Shpesh ndodhte që sa herë motra ime futej në pishinë i binte kapelja 4-5 herë gjë që ndërpriste plotësisht ritmin e stërvitjes,” thotë trajneri.

Zoti Cronin, si shumë të tjerë, e komentuan vendimin e federatës jo vetëm si një pengesë teknike, por një padrejtësi ndaj personave me ngjyrë që kanë dëshirë të konkurrojnë në not.

"Nëse notarët elitë trajtohen në këtë mënyrë, duhet të pyesni veten “Si po trajtohen ata që nuk e kanë këtë status?” Synimi është të krijohet një mjedis sa më gjithëpërfshirës që njerëzit ta ndjejnë se gjejnë veten në këtë sport. Nëse ata që kanë flokë më të rëndë, më të ashpër kanë kapele më të mëdha noti, do të ndjehen më reheat. Me këto zhvillime teknologjike sot në botë është për të ardhur keq që nuk është bërë më parë,” thotë trajneri.

Diskriminimi i notarëve me prejardhje afrikane ka rrënjë të thella në shoqëritë e bardha dhe e ka zanafillën nga koha kur ata nuk lejoheshin të mësonin not apo të stërviteshin në pishina që frekuentoheshin nga të bardhët. Konkurrentet e sotme e ndjejnë ende këtë diskriminim.

"E shihja si të padrejtë, pasi afrikano-britanikët nuk mund të përdorin lehtë kapelet e zakonshme. Shpesh ato kapele u dalin nga koka gjatë notit. Pra dalin probleme në garë jo për fajin tonë,” thotë notarja Shameiah Nanton.

Organizmat mbikqyrës të garave të notit në Angli lejojnë përdorimin e kapeleve Soul Cap në konkurrime.

Jane Nickerson, shefe ekzekutive e Shoqatës së Notit në Angli, thotë se puna për të rritur larminë kërkon përkushtim.

"Zbuluam se uniformat dhe pajisjet janë një pengesë e madhe. Prandaj po punojmë me kompani e individë për modifikime, pasi është e drejtë dhe e logjikshme që këta konkurrentë me flokë që nuk përshtaten me kapelet ekzistuese të kenë pajisjet e duhura që mund t’i përdorin pa pasur nevojë për leje të posaçme.

Federata Ndërkombëtare e Notit ka premtuar ta rishikojë vendimin mbi kapelet e notit vitin e ardhshëm./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat