ILO mbështet qeverinë shqiptare për rritjen e sigurisë në punë

Shqipëria

ILO mbështet qeverinë shqiptare për rritjen e sigurisë në punë

Më: 28 prill 2018 Në ora: 11:24
Ilustrim

Organizata Botërore e Punës (ILO) po mbështet qeverinë shqiptare për të rritur standardet e sigurisë në punë.

Eksperti i ILO-s, i cili po trajnon Inspektoriatin e Punës për rritjen e sigurisë në Punë, Javier Barbero në një prononcim për ATSH-në theksoi se synimi ynë është të përafrojmë standardet me ato europiane.

“ILO siguron ndihmë tekniko-ligjore në mënyrë që të mbështesim qeveritë në përpjekjet e tyre që së pari, të përshtatin dhe përafrojnë kuadrin ligjor kombëtar për punën me atë ndërkombëtar dhe natyrisht më pas për të zbatuar legjislacionin kombëtar dhe bërë realitet këto praktika”, – deklaroi Barbero.

Kjo, sipas tij, pasi përpjekjet për promovimin dhe krijimin e një kulture të vërtetë në parandalimin e aksidenteve në punë janë tepër të rëndësishme.

“Kjo nuk është përgjegjësi vetëm e Ministrisë së Punës, nuk është përgjegjësi vetëm e punëdhënësve, por e gjithë vendit me qëllim promovimin e kësaj kulture të re në mënyrë që të shmangen aksidentet në punë, që padyshim mund të shmangen në 99% të rasteve”, – shtoi Barbero.

Ndërsa i pyetur nëse ILO do të ofrojë asistencë sa i përket rritjes së sigurisë në sektorin minerar, Barbero thotë se të gjithë sektorët janë në axhendën e Organizatës Botërore të Punës.

“Padyshim, ky është një sektor shumë i rrezikshëm, që në fakt nuk është i vetmi dhe ne duhet të përqendrohemi në ata sektorë që janë në krye të listës, për sa i takon numrit të aksidenteve dhe sëmundjeve nga puna”, – shprehet eksperti i ILO-s.

Më tej, ai thekson edhe se janë bërë përpjekje të rëndësishme për sa i takon afrimit të kuadrit ligjor me BE-në.

“Kjo nuk është çështje ndryshimi që ndodh brenda ditës, por që kërkon kohë. Mendoj që përpjekjet janë të shumta dhe në drejtimin e duhur, kështu që jam i sigurt që situata do të përmirësohet edhe më tej në të ardhmen”, – shton ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat