Vrasja e Devi Kasmit, Krimet e Rënda lënë në burg të arrestuarit - Bota Sot
Vrasja e Devi Kasmit, Krimet e Rënda lënë në burg të arrestuarit

Shqipëria

E premte, 20 korrik 2018

Vrasja e Devi Kasmit, Krimet e Rënda lënë në burg të arrestuarit

Më: 17 prill 2018 Në ora: 12:08
Krimet e Rënda

Për Gjykatën e Krimeve të Rënda, tashmë është e vërtetuar se ekzekutim i Devi Kasmit mbrëmjen e 29 Janarit të këtij viti është bërë nga greku Efthimio Efthimius, i ndihmuar nga Mario Meshini, Elton Halipaj, Elton Hoxhallari, Malvin Dinellari.

Ditën e sotme, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vlerësuar masat e sigurisë për 5 të arrestuarit, të cilët ka vendosur burg deri në gjykimin e plotë të çështjes.

Vrasja

Devi Kasmi u ekzekutua me 4 plumba mbrëmjen e 29 janarit në rrugën ‘Kongresi i Manastirit’ në afërsi të Urgjencës së Pediatrisë. Atentatorët që thuhet se kanë qenë hipur në një motor dhe të pajisur me skafandra pritën deri sa objektivi i tyre doli nga banesa, ndërsa qëlluan ndaj tij, duke e lënë të vdekur në vend. 

Fill pas krimit ata u larguan me shpejtësi në drejtim të SHISH, duke fshehur kështu gjurmët, pasi përfituan edhe nga errësira në vendin ku ndodhi vrasja. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ngjarja ka të bëjë me konflikte për trafik droge, pasi dyshohet se viktima ishte përfshirë në aktivitete kriminale. Po ashtu, Devi Kasmi kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Spanja, shtet ku jetonte prej kohësh.

Arrestimet

Policia e Tiranës mundi që të zbulonte se vrasja e Kasmit është bërë nga një grup i strukturuar kriminal, ku për të kryer vrasjen ishte ngarkuar një shtetas grek, ish-pjesëtar i forcave speciale në Greqi. Nga hetimet ka rezultuar se  (Altin) Aurel Hoxhallari, ishte organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal, i cili ende nuk është arrestuar. Elton Halipaj ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit, ndërsa greku Efthymiou Efthymious, ishte në rolin e ekzekutorit si vrasës me pagesë.

Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen. Efthymiou kishte punuar nga viti 1992 deri në vitin 2012 si efektiv i forcave speciale në Greqi, por ishte larguar nga detyra pas dyshimeve se ishte përfshirë në trafik droge.

Malvin Dinellari ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes si dhe Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpunëtor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastrukturës për realizimin e vrasjes. Por, ajo që ka lënë të befasuar policinë e Tiranës, kanë qenë municionet që ky grup kishte në dispozicion. Si rezultat i kontrolleve të kryera në një vilë që përdorej si bazë, është gjetur një arsenal armësh, municionesh, eksplozivësh, raketa hedhës, armë të precizonit të lartë, minë me telekomandë, dylbi, radio ndërlidhje (si ato të policisë), të cilat funksiononin në grup, maska, veshje kamoflazhi, etj.

Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar 2 pistoleta, njëra prej tyre e dyshuar si arma e krimit, 4 armë automatikë, 2 snajper, 4 pushkë automatike, 1 armë antitank me 2 predha, 1 bombë me telekomandim në distancë, sasi e konsiderueshme lënde eksplozive C4 dhe tritol, 4 radio marrëse, 1 dron, 110 kg kanabis dhe 2 maska. Ky ka qenë grupi më i sofistikuar dhe armatime më të mëdha të arrestuar deri tani në Tiranë.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test