Ministria merr “filmin”. Tjetër ndryshim për ligjin e artit dhe kulturës

Shqipëria

Ministria merr “filmin”. Tjetër ndryshim për ligjin e artit dhe kulturës

Më: 6 shkurt 2018 Në ora: 21:31
Ministria e Kulturës

Publikimi i një projektligji në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, ku parashikohet ndryshimi i ligjit ekzistues për Artin dhe Kulturën për herë të dytë, pas miratimit në vitin 2010 të këtij ligji dhe ndryshimit të tij në vitin 2014, ka ngjallur reagime nga grupet e interesit, veçanërisht në komunitetin e kinematografisë.

Kineastë, regjisorë, producentë dhe aktorë u mblodhën këtë të martë në sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve, në një takim me dyer të mbyllura, pa prezencën e medias.

Top Channel ka mësuar se shqetësimi kryesor i këtij komuniteti lidhet me Nenin 4 të projektligjit të ri. Nëse bëhet krahasimi i ligjit ekzistues me ndryshimet e kërkuara në këtë projektligj, vihet re se krahas institucioneve si Teatri Kombëtar, TKOB apo Galeria Kombëtare e Arteve, projektligji i ri parashikon që nën varësi të Ministrisë së Kulturës të shtohen edhe 5 institucione të tjera kulturore, ndër to edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Artistët pohojnë jashtë kamerës se pikërisht përfshirja e kësaj të fundit nën “ombrellën” e Ministrisë së Kulturës do të bëjë që, sipas tyre, projektet kinematografike të centralizohen në duart e kësaj ministrie, duke humbur pavarësinë.

Deri më tani, Qendra Kombëtare e Kinematografisë funksionon si një institucion i pavarur, ku miratimi i projekteve kryhet përmes Këshillit të Miratimit të Projekteve. Duke u bërë pjesë e institucioneve në varësi të Ministrisë së Kulturës, projektet kinematografike do të shqyrtohen nga Bordi Artistik, një organ kolegjial vendimmarrës pranë Ministrisë së Kulturës.

Jashtë kamerës, artistët shtojnë se nuk kanë qenë në dijeni të ndryshimeve që parashikon ky projektligj dhe se ministria nuk është konsultuar më parë me ta. Ata shprehen se shumë shpejt do të dalin me një deklaratë të përbashkët, duke bërë publike edhe kërkesat dhe pretendimet e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat