Vetëm Zoti e di si kemi shpëtuar! Dëshmitë e të përmbyturve

Shqipëria

Vetëm Zoti e di si kemi shpëtuar! Dëshmitë e të përmbyturve

Më: 6 dhjetor 2017 Në ora: 08:01
Permbytjet

“Kur u zgjuam uji kishte arritur pranë shpatullave tona, më shumë se 1 metër e gjysëm. Uji erdhi si një valë e madhe, për 5 minuta, morëm fëmijët e vegjël dhe u ngjitëm në katin e dytë. Zoti e di si kemi shpëtuar!” Ishte kjo dëshmia e parë rrënqethëse me të cilën u përballëm në zonën e përmbytjeve, në fashatin Ferras të Fierit, aty ku fushat e gjera dhe me prodhime buqjësore, ishin kthyer në një det gjigand, ku mes tij qëndronin shtëpitë, sikur të ishin anije peshkimi.

Ferrit Brata është një ndër qindra familjet e përmbytura në fshatrat e Fierit dhe Vlorës, aty ku lumi Vjosa mori para çdo gjë. 73-vjeçari nga fshati Ferras tregon mes lotësh se një përmbytje të tillë nuk e kishte parë që në vitin 1981.

“Shpëtuam lavatriçen dhe televizorin, dollapët e rrobave nuk i nxorrëm dot. Për disa minuta tentuam të bllokojmë dyert që uji të mos hynte. Ishte e pamundur. Kur pamë ujin që na arriti pranë shpatullave u dorëzuam, bashkë me 3 çunat. Shkuam në katin e dytë të shtëpisë, të cilën ende e kemi pa dyer e dritare. Ishte ora rreth 23:00, kur po shikoja që uji vinte si dallgë deti. Ishte shumë e fortë. Dëgjoja në fshat fëmijë që bërtisnin dhe fshatarë që kërkonin ndihmë”,- tregon mes emocionesh Ferit Brata, atë që e cilëson si fatkeqësinë më të madhe të jetës së tij, shkatërrimin e gjithçkaje që ka ndërtuar, nga shtëpia, te biznesi i djemve.

Gjithçka nën ujë
Sapo mbërrijmë tek ura e parë në autostradën Fier-Vlorë rreth orës 8 të mëngjesit të së shtunës, dallojmë se Lumi Vjosa ka mbuluar fushat. Është e vështirë të dallohen rrugët. Shtyllat e energjisë elektrike janë të rrëzuar, ndërkohë që fermat e kafshëve janë të mbuluara nga uji. Fermerët pranë fshatit Qarr dhe Ferras shqetësohen për fermat e bagëtive. “I ngrita derrat, zogjtë dhe delet në lartësi 1.5 metra, por nuk e di në ç’nivel ka shkuar uji. Pak momente më parë shkova me varkë dhe pashë që derrat kishin vetëm kokën mbi ujë. Nuk e di nëse do mbijetojnë”, - thotë njëri prej fermerëve në zonë, për gazetën.

Gomonia për transport
Një gomone dallojmë teksa afrohet, e cila bën transportin e njerëzve të bllokuar në fshatrat Qarr, Bishan, Boçovë, Bashkim, Martinë dhe Pish-Poro të Fierit. I kërkojmë dy personave të na afrojnë mes fshatrave, aty ku katet e para të shtëpive janë nën ujë. “Është e rrezikshme pasi rryma e ujit është e fortë”, na thotë një djalë rreth 30 vjeç, i cili futet në ujë rreth 1 metër për të nxjerrë gomonen në breg, pranë urës.

Nisja me gomone duket e lehtë. Bashkë me kameramanin, Deanin, e shikojmë si një mision të lethtë, por pas disa sekondash kuptojmë që gomonja zhvendoset nga rryma e ujit.

“Të kthehemi e pyes drejtuesin e gomones”, i shqetësuar.

“Jo jo do vazhdojmë, ta shikojë gjithë Shqipëria ç’po ndodh këtu”, me drejtohet i vendosur, pavarësisht se rreziku duket i madh. Pas disa minutash “në luftë” me rrymën e lumit Vjosa, afrohemi te banesa e parë e fshatit Ferras. Menjëherë burrë e grua dalin nga kati i dytë, që duket sikur na mirëpresin pasi prej 2 ditësh janë të bllokuar dhe pa energji elektrike.

“Mos vazhdoni me tej”, na thotë një burrë rreth 50 vjeç.

“Është e rrezikshme pasi ka rrymë të fortë dhe uji ka mbuluar telat rrethues dhe mund t’ju çahet gomonja”, këmbëngul ai.

“Po ju pse nuk jeni larguar”, i drejtohem.

“E mor djalë, jemi përgatitur, kemi marrë ushqime për një javë. Edhe ujë kemi. Tani të shpresojmë të largohen ujrat. Nuk kemi drita si janë parashikimet e motit”, më thotë.

“Edhe sot dhe nesër (të shtunën e të dielën), uji do të jetë i pranishëm, më pas do tërhiqet”, i përgjigjem gjithë shqetësim banorit të Ferrasit, i cili bashkë me gruan na tregon se orenditë shtëpikae dhe ushqimin e bagëtive i kanë ngjitur në katin e dytë. Pavarësisht këmbënguljes time, ai përsëri vijon se nuk do largohet nga shtëpia, përpos rrezikut.

Braktisja e gomones
E dëgjojmë këshillën e banorit të Ferrasit dhe rikthehemi pas me gomone. Në dalje të fshatit, kuptojmë që rryma na shtyn drejt fushave. Të frikësuar dhe me vështirësi dalim në breg, aty ku rruga e makinave, e cila është përmbytur, është kthyer si një port ku zbresin banorët e disa fshatrave.

Drejt Novoselës
Me një makinë të lartë, nisemi drejt Novoselës. Rrugës parakalojmë autokolonën e emergjencave të Kosovës, që kishin ardhur për të ndihmuar autoritetet shqiptare. Me një zë të trashë, njëri prej komandatëve kosovarë, na pyet nëse kjo është rruga për në Novoselë. Duke i konfirmuar se janë në drejtimin e duhur, e pyes se a janë të përgatitur për përmbytje të tilla. “Jemi trajnuar në vendet e BE-së, kemi parë situata edhe më të vështira. Kemi ardhur për t’ju ndihmuar”, ma kthen me buzëqeshje, njëri prej drejtuesve, i quajtur Gazmir.

Novosela e pakalueshme
Sa po afrohemi në Novoselë shikojë emergjencat civile, makinën e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe shumë ushtarë e oficerë policie. Rruga është e pakalueshme për makinën tonë. Një automjet i lartë ushtarak tenton të futet për të shkuar te Ura e Mifolit. Uji i arrin deri te xhami i parë dhe bllokohet. Disa ushtarë afrohen me shpejtësi dhe e nxjerrin makinën nga uji. Në sfond dallojmë dhjetra makina tip “Ifa” të Ushtrisë. Vetëm ato mund të kalonin në nivelin e ujit, i cili arrinte  rrreth 2 metër.

“Më merrni dhe mua”, i them njërit prej drejtuesve të këtyre makinave ushtarake.

“Jemi plot me ushtarë. Pastaj nuk mundemi sepse është e rrezikshme”, më thotë me një ton të ashpër prej ushtaraku.

Duke qënë në transmetin live, doja shumë që të tregoja se çfarë po ndodhte në Novoselë. Shikoj rreth 200 metra larg një zetor të madh. E pres teksa vjen dhe i kërkoj që të më marrë dhe mua, bashkë me kameramanin tim, Deanin.

“Jemi ngushtë thotë, po eja dhe të shikosh se çfarë po bëhet. Vetëm transmetoje, ta shikojnë ata të qeverisë”, më drejtohet.

Duke i thënë se jemi në transmetim live në televizionin Report Tv, gëzohet dhe vijon rrugën. Goma e atij zetori ishte rreth 2 metër e lartë. Sapo futemi në ujë, rruga nuk dallohet më.

“Na është shkatërruar çdo gjë më thotë”, zetoristi i quajtur Luli.

“Edhe ato pak të mbjella që kishim, tani nuk i kemi më. Shteti të vërë dorën në zemër, të na dëmshpërblejë”, vijon zetoristi, ndërkohë që unë duke raportuar shikoj se uji ka arritur pranë këmbëve tona.

Kur ndodhesha pranë atij pellgu gjigand, në horizont shikoj Urën e Mifolit. Vetëm harqet e saj dukeshin, pasi ura ishte mbuluar nga uji. Një makinë ushtrie na vjen përballë dhe na thotë se nuk mund të vazhdojmë rrugën.

“Ju lutem është e rrezikshme. Kemi larguar gjithë banorët, nuk mund të vijoni më rrugën”, na thotë një tjetër ushtarak, po me ton të lartë, duke na urdhëruar të kthehemi.

Teksa kthemi pas, duke mos shkuar dot në Urën e Mifolit, ndihmojnë edhe një prej kolegëve gazetar, makina e të cilëve nuk mund të vijonte dot më rrugën.

Nisje drejt Qarrit, fshati i bllokuar

Në një kohë kur po qëndronim me emergjencat Civile në Novoselë, një qytetarë nga fshati Qarr na telefonon dhe thotë se janë të bllokuar. Menjëherë telefonoj djalin rreth të 30-ave me gomone. Nisemi përsëri me gomone nga një urë në autostradën Fier-Vlorë, drejt fshatit Qarr. Ishte ora rreth 16:00 e mbasdites, po binin rreshje të pakta shiu, ndërkohë që shihet edhe dielli që “ndodhet” mbi Vlorë, duke perënduar.

“Si është situata në fshatin Qarr”, e pyes djalin e gomones.

“Shumë keq, madje një plakë ka ngelur e bllokuar. Do ta marr dhe ta çoj tek disa të afërm të saj, menjëherë sapo t’ju çoj dhe juve”, na thote drejtuesi i gomones, i cili është i lagur nga koka te këmbet.

Sapo afrohemi në fshatin Qarr shikoj atë plakën e bllokuar, që më tha drejtuesi i gomones. Qëndron në ballkon, ndërkohë që uji i ka prekur edhe këmbët. Përpiqem të komunikoj me të, por është e vështirë, ndërkohë që muri i lartë i banesës, s’na lejon të afrohemi. Pak metra më tutje, dallohen dhjetra banorë të fshatit Qarr, duke na pritur.

“Nuk na ka ardhur askush për ndihmë. S’kemi ujë, bukë dhe ushqime”, na drejtohen banorët.

“Na kanë ngordhur bagëtitë, fushat na janë përmbytur, nuk e di se me ç’farë do jetojmë”, na thotë një tjetër banorë i fshatit Qarr.

Situata duket e vështirë në zonë. Rreth 30 shtëpi nga 50 që ka ky fshat ndodhen në ujë. Edhe fshatrat Boçovë, Pish Poro, Martinë dhe Bashkim janë përmbytur, por e kemi ta pamundur të vijojmë, për shkak të errësirës. Drejtuesi i gomones na thotë se duhet të rikthehemi pasi as ai nuk mund të lëviz më. Duke shkuar pranë autostradës Fier-Vlorë, temperaturat janë ulur dhe i ftohti ndjehet shumë, pavarësisht veshjeve tona.

Dita e parë e përmbytjeve na kaloi pa u kuptuar. U futëm aty ku vetëm ushtria me mjete të rënda mund të kalonte. Shkuam në zona që s’kishin mbërritur emergjencat civile, por momentet e vështira që kaluan dhe po kalojnë banorët e pëmrbytur në Fier e Vlorë, vështirë se mund ti përshkruajmë në kaq pak rreshta.

Dita e dytë (e diela) ka sjellë përmisimin e situatës. Vjosa është rifutur në shtratin e saj, uji ka filluar të tërhiqet dhe rrugët po fillojnë të jenë përsëri të kalueshme. Teksa largohemi nga fshatrat e përmbytur drejt Levanit, dhjetëra banorë na falenderojmë që iu gjendëm pranë duke duke treguar dëmet që iu ishte shkaktuar.

Më shumë se 8 mijë hektarë tokë u përmbyt. Uji hyri në shumë se 700 banesa në fshatrat e Vlorës dhe Fierit. Në rikthim drejt Tiranës (të dielën rreth orës 18:00)shkatërrimi dhe vuajtja e banorëve të atyre fshatrave nuk na lë të shijojmë asnjë grimcë nga kënaqësia e punës së kryer. Si gazetar dhe qytetar i këtij vendi besoj se është detyrim që ata banorë të dëmshpërblehen për çdo gjë që iu shkatërrua, duke filluar nga orenditë shtëpiake, deri te bagëtitë./Shqiptarja

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat