Basha me delegacionin e OSBE-së: Antimafia italiane konfirmoi se vota u ble me paratë e drogës

Shqipëria

Basha me delegacionin e OSBE-së: Antimafia italiane konfirmoi se vota u ble me paratë e drogës

Më: 31 tetor 2017 Në ora: 13:41
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, priti në një takim kreun e delegacionit të vëzhguesve të OSBE-ODHIR për zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017, Peter Tejler.

Partia Demokratike njofton se kreu i opozitës e konsideroi shumë të rëndësishëm raportin, i cili ka dokumentuar shqetësimet ngritura nga opozita.

Raporti konstaton shkelje të rënda të cilat kanë deformuar vullnetin e shqiptarëve, duke nisur nga shitblerja e votës, presioni mbi zgjedhësit, presioni mbi administratën dhe mbi biznesin, përdorimi masiv i shtetit në shërbim të partisë në pushtet, cenimin e lirisë dhe sekretit të votës, etj.”

 “Raporti evidenton se individë me rekorde të tmerrshme kriminale luajtën një rol domethënës në fushatë. Kjo u vu re edhe gjatë ditës së zgjedhjeve në bashkëpunimin e kontigjentit kriminal me shtabet e partisë në pushtet. Kryetari i opozitës nënvizoi faktin se përgjimet e Antimafias italiane konfirmojnë se roli i krimit dhe parave të drogës në shitblerjen e votës dhe kërcënimin e votuesve, përbën problemin më të madh të demokracisë dhe zgjedhjeve të lira në vend.”

Basha vlerësoi që këto shqetësime janë tashmë rekomandime prioritare nga OSBE/ODIHR-it.

Ai u shpreh se Reforma Zgjedhore është prioritet për Partinë Demokratike dhe është kërkuar të nisë puna menjëherë me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Gjithashtu, vonesat dhe mungesa e vullnetin nga ana e qeverisë mund të cenojë procesin për një hartuar një reformë tërësore.

Kreu i opozitës kërkoi mbështetjen dhe ekspertizën e misionit të OSBE/ODIHR-it për implementimin e rekomandimeve. Reforma Zgjedhore duhet të përballet me shumë prej problematikave të shumta të procesit si lista e zgjedhësve, sistemin e adresave, përdorimin e financimeve dhe individëve me rekorde kriminale, përdorimin e  pushtetit, votën e emigrantëve dhe mbi të gjitha shit-blerjen e votës.

Votimi dhe numërimi elektronik është kërkesa dhe kushti parësor i opozitës shqiptare. Kreu i opozitës tha se votimi dhe numërimi elektronik do të eliminojë shumë prej problemeve. Basha tha se Partia Demokratike kërkon me ngulm një reformë tërësore që jo vetëm të adresojë e të zgjidhje problemet e mëdha të procesit, por edhe të fuqizojë të drejtën e qytetarëve për të vendosur si dhe të kufizojë pushtetin e kryetarëve të partive. Po ashtu, ngritja e një institucioni të pavarur nga qeveria për të ndalur presionet dhe abuzimet mbi administratën është e domosdoshme, ashtu si ndjekja dhe penalizimi fort i çdo rasti të evidentuar për shit-blerje vote.

Kryetari Basha mori mbështetjen e Ambasadorit Tejler për një bashkëpunim të plotë me OSBE/ODIHR-in, me eskpertët e tyre më të mirë për të asistuar në hartimin e reformës zgjedhore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat