Nis sot lotaria amerikane, ja çfarë duhet të dini

Shqipëria

Nis sot lotaria amerikane, ja çfarë duhet të dini

Më: 3 tetor 2017 Në ora: 08:10
Ambasada amerikane

Të gjithë ata që synojnë “tokën e premtuar”, mund të aplikojnë për lotari nga sot, deri më datën 7 nëntor.

Por më parë duhet të informoheni për elementët që ju skualifikojnë apo ato që rrisin shanset për të qenë pjesë e listës së fituesve.

Të gjitha këto i kanë shpjeguar me detaje në Tv Klan, “Te Rudina” dy punonjësit e Ambasadës Amerikane, Emily Enright dhe Lorenc Mansaku. 

Me rëndësi është që çdokush ta plotësojë vetë aplikimin, ose me ndihmën e një mbikëqyrësi, por jo më shumë se një herë. Fotoja, gjithashtu duhet të jetë profesionale dhe pa syze. Këshillohet në foto-studio, të cilat dinë me saktësi përmasat e duhura.

KRITERET PËR APLIKIM

Të njohurit e anglishtes më herët nuk është kriter në përzgjedhje. Por, është shumë e rëndësishme që çdo person ta bëjë aplikimin vetë. Edhe në rast se kërkohet ndihmë nga një zyrë shërbimi apo mik, specialistët këmbëngulin të asistoni aty.

“Nëse anglishtja juaj nuk është në nivelin e duhur për të bërë plotësimin e formularit, ju mund të kërkoni asistencën e një miku tuaj apo të një zyre që merret me këtë çështje, por gjithmonë kini parasysh, që jeni ju përgjegjës për aplikimin”. Sa i takon moshës, edhe këtë vit nuk ka limite. Ndërsa shkolla e mesme, po. Kandidat potencial për të aplikuar e fituar janë edhe ata që janë në përfundim të saj. Mjafton që ditën e intervistës, të kenë shlyer të gjitha detyrimet e arsimimit të mesëm.

“Nuk ka një kriter mbi moshën minimale apo maksimale për lotarinë. Çdokush ka të drejtë të aplikojë, por kriter është që duhet të kesh shkollën e mesme gjatë vitit kur jepen intervistat. Për shembull, mund të jeni në shkollë të mesme. Nëse e mbaroni nga tetor 2018-shtator 2019, keni të drejtë të aplikoni në këtë sezon. Pra, ai mbaron shkollën përpara afatit të intervistave”, sqarojnë specialistët.

GABIMET QË DUHEN SHMANGUR

Çdo person mund të aplikojë vetëm një herë në vit. Riaplikimi nuk rrit shanset, përkundrazi ju skualifikon. “Duhet të regjistroheni vetëm një herë në çdo vit. Një herë për çdo person dhe nëse ju doni të rrisni shanset, është mirë që të aplikoni personalisht”, thotë specialistja e Ambasadës së SHBA. Theksohet që aplikimi bëhet në bazë të statusit civil.

“Mos harroni të përfshini bashkëshorten kur bëni aplikimin. Ai bëhet në bazë të statusit civil. Pra, nëse jeni i martuar, pavarësisht se mund të jeni në proces divorci, duhet të përfshini bashkëshorten dhe çdo fëmijë, pavarësisht nëse jetoni ose jo me të, pavarësisht nëse ka ndërmend të imigrojë apo jo me ju”.

Një tjetër këshillë e vlefshme që vjen nga specialistët e ambasadës, është mospërdorimi i syzeve në momentin që bëni foton e aplikimit. Po ashtu, ky proces këshillohet të mos lihet në çastin e fundit. “Rekomandojmë që të aplikoni sa më shpejt, sepse ka ndodhur vitet e kaluara ku nga aplikimet e tepërta, sistemi është ngarkuar aq shumë, sa nuk e ka njohur si kohë, duke e skualifikuar në këtë mënyrë aplikantin”.

PËRZGJIDHJA E FITUESVE

Gjithçka është në dorë të rastësisë. Përzgjedhja e fituesve bëhet në një zyrë të posaçme në SHBA, ku vendimin për fituesin e merr kompjuteri.

“Çdo aplikimi i vendoset një numër dhe pastaj këta numra hidhen në short. Çdo shtet, dhe Shqipëria, nuk mund të marrë më shumë se 7% e rajonit të Europës. Mund të themi se Shqipëria ka qenë goxha me fat në këtë drejtim”. Lidhur me profesionet e preferuara, nuk mund të thuhet se ka një specifikë të caktuar, sipas specialistëve të Ambasadës së SHBA.

“Në faqen tonë të internetit, kushdo që është i interesuar, që nuk e gjen veten te kriteri i arsimit, atëherë në faqen ‘onnet online’, janë hapat shumë të detajuar të Departamentit të Punës, ku personi mund të vendosë aty profesionin që ka dhe në bazë të kualifikimeve të veta, mund të gjejë nëse gjendet i kualifikuar ose jo. Udhëzimet janë shumë specifike, ndaj edhe nuk mund të themi një profesion që mund të kualifikohet ose jo”.

Programi i lotarisë amerikane ka nisur në fillimet e vitit 1990. Ajo që dihet tashmë është që vetëm në dekadën e fundit, mbi 15 mijë shqiptarë kanë imigruar nëpërmjet programit të lotarisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat