Pikëpyetje mbi aksionet: Pas Elbasanit, FNSH zbarkon në Vlorë

Shqipëria

Pikëpyetje mbi aksionet: Pas Elbasanit, FNSH zbarkon në Vlorë

Më: 22 shtator 2017 Në ora: 10:28
Forcat Speciale

Pas Elbasanit, Forcat Speciale kanë ndërmarrë një operacion edhe në qytetin e Vlorës lidhur me bllokimin e mjeteve luksoze dhe aseteve me prejardhje nga aktiviteti kriminal.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako deklaroi dje nga Elbasani se lufta kundër aseteve kriminale do të zhvillohet në të gjitha qarqet e vendit dhe shprehu gatishmërinë e veçantë të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Jemi të vendosur për t’i vënë përpara përgjegjësisë ligjore, për të çuar deri në fund në bashkëpunim me prokurorinë të gjithë individët që kërkojnë të sfidojnë shtetit. Nuk do të ketë operacion vetëm në qytetin e Elbasanit, por në të gjitha qytetet të grupeve dhe individëve që kanë kryer veprimtari kriminale. Policia e Shtetit do të jetë prezent dhe e vendosur për të siguruar rend dhe qetësi,” tha Çako.

Megjithatë, pas ngjarjes së rëndë të Elbasanit, ku u godit makina e nëndrejtorit të policisë, ka pikëpyetje për efikasitetin e këtyre aksioneve.

Një ditë më parë në emisionin “Opinion”, gazetarja Klodiana Lala tha se këto aksione nuk mund të godasin krimin e organizuar, pasi ai goditet me hetime të specializuara dhe bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë dhe partnerët ndërkombëtarë.

Lala theksoi se Elbasani është kthyer në një pikë të rëndësishme të kalimit të heroinës që vjen nga Afganistani, ndërkohë janë dy banda kryesore që po luftojnë me njëra-tjetrën.

Gazetarja tha se njëra nga bandat ka pësuar humbje të mëdha për shkak të ekzekutimeve, ndërkohë që banda tjetër, e cila ka mbështetje politike, po kontrollon gjithë qytetin dhe jo vetëm drogën, por edhe koncesionet dhe tenderat që jepen nga bashkia.

Qeveria e re ka premtuar disa aksione, jo vetëm sa i përket vendosjes së rendit.

Por para tre vitesh, ishte vetë Gramoz Ruçi që theksonte se qeverisja nuk bëhet me aksione.

“Qeverisja nuk bëhet me aksione, por me qeverisje çdo ditë”, shprehej Ruçi në vitin 2014.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat