Selami: PD të rifitojë demokratët, rininë, elitën dhe të djathtët

Shqipëria

Selami: PD të rifitojë demokratët, rininë, elitën dhe të djathtët

Më: 15 korrik 2017 Në ora: 13:44
Eduard Selami

Në bashkëbisedimet me demokratët e Durrësit, Shijakut, Rrogozhinës dhe Fierit, kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Eduard Selami, bëri thirrje për bashkimin e gjithë faktorëve të djathtë, duke theksuar se përçarja nuk ndihmon në ringritje.

Ai tha se nëse merr postin e të parit të partisë, atëherë Partia Demokratike do të ringrihet dhe rifitojë demokratët, elitën dhe shtresat e djathta.

"Dalim nga strukturat dhe përçahemi. Kundërshtarët tanë po e shijojnë këtë, edhe ato "miq"  mezi presin  të na shohin  përtokë, por ne të gjithë së bashku nuk do ia japim këtë shans. Do të dalim më të fortë nga kjo garë, duke thënë disa të vërteta që duhej të ishin thënë me kohë, jo duke folur në mënyrë personale jo duke hedhur njëri-tjetrin, jo në mënyrë përjashtuese", tha Selami.

Problemi më i madh në Partinë Demokratike, sipas Selamit, është prishja e rregullave të lojës.

Selami konfirmoi shqetësimin për pabarazinë e garës dhe u angazhua se PD, do të ketë në statut nenin që kryetari në rast humbje  të dorëhiqet.

"Gara nuk është e përsosur.  Hajde të fusim një nen në statut për herët e tjera që nëse kryetari i partisë nuk fiton, jep dorëheqje dhe nuk kandidon atë radhë për kryetare partie, që të shmangen këto gjëra. Nuk mund të jetë njëri me këpucë, tjetri zbath, njëri kryetarë në detyrë me skortë, ndërsa unë me një shofer që nuk di rrugët", tha Selami.

Rinia është në qendër të projektit të Selamit, ndërsa tha se kërkohet një qasje e re për motivimin e  tyre pasi siç u shpreh ai, kanë humbur shpresën te Partia Demokratike. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat