Basha: PD ka zgjedhur njerëz me vlera në listat e saj

Shqipëria

Basha: PD ka zgjedhur njerëz me vlera në listat e saj

Më: 27 maj 2017 Në ora: 21:42
PD

Partia Demokratike (PD) hapi sonte fushatën elektorale në Sheshin e Tiranës para Kryeministrisë, aty ku 90 ditë me radhë qëndroi “çadra” e protestës për zgjedhje të lira e të ndershme, nga ku u themelua edhe “Republika e re”.

“Kemi një plan për zhvillimin e Shqipërisë, sepse interesat e shqiptarëve janë interesi ynë. Shqiptarët më 25 qershor do të votojnë për të vendosur një qeveri e kryeministër që mban interesin e tyre mbi të gjitha dhe jo një kryeministër të korruptuar e që bashkëpunoi me krimin, e që kontrollohet nga krimi e interesat e krimit”, tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Basha renditi disa nga pikat e programit që do të zbatohet në rast se ai vjen në krye të qeverisë në 25 qershor.

Duke folur për listat e deputetëve, kreu i Partisë Demokratike u shpreh se nuk ishin të papritura.

“Vendimi ishte i vështirë për t’u marrë, por jo i pamundur. PD ka zgjedhur njerëz me vlera në listat e saj. Ndryshimi duhet të fillojë nga vetja jonë, nga shtëpia jonë dhe kështu kemi bërë”, tha Basha.

Por theksoi ai, kjo do të jetë lista e fundit që do të bëhet nga kryetari sepse listën e deputetëve do ta vendosë qytetari shqiptar.

“Premtoj reformë totale kushtetuese. Shqiptarët do të zgjedhin drejtpërdrejt përfaqësuesin e tyre në Parlament, e do të mund ti kërkojnë llogari qeverisë e kryeministrit”, deklaroi Basha.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat