Paralajmërimi i Bashës: Skema e Ramiz Alisë nuk do të përsëritet më!

Shqipëria

Paralajmërimi i Bashës: Skema e Ramiz Alisë nuk do të përsëritet më!

Më: 1 maj 2017 Në ora: 19:52
Kreu i PD-së Lulzim Basha

Kreu i PD-së Lulzim Basha i është përgjigjur KQZ-së e cila ka theksuar se afati i fundëm për të regjistruar listat e deputetëve në zgjedhje është data 3 maj.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Basha shkruan se e vërteta e thjeshtë është se për votime është regjistruar vetëm një subjekt zgjedhor, koalicioni i viti 2015-tës, i cili është ende në pushtet.

Sipas Bashës, nuk do të ketë zgjedhje të formatit “komunist” në Shqipëri. Madje kryedemokrati i ka kujtuar të gjithëve kohën kur Ramiz Alia do të hynte në zgjedhje “pluraliste” me PPSH-në si subjekt dhe Frontin Demokratik të Grave, një strukturë paralele e partisë komuniste.

POSTIMI I BASHËS

E vërteta e thjeshtë është se për votime është regjistruar vetëm një subjekt zgjedhor: koalicioni i 2015-ës që është ende në pushtet. Madje edhe koalicioni nuk është i plotë, pasi disa bishta mbetën rrugës, në pazare e sipër.

Tani, ky subjekt i vetëm po përpiqet t’i hedhë hi syve shqiptarëve dhe të huajve duke u shtirur sikur janë 17 subjekte. Por është një dhe vetëm një: koalicioni i turpit, koalicioni i vjedhjes, koalicioni i abuzimit, koalicioni i drogës dhe i krimit me në krye Edi Ramën dhe mercenarët e tij.

Por shqiptarët nuk mashtrohen. Monizëm në Shqipëri nuk ka për të pasur më, me asnjë çmim, në asnjë formë. Sot nuk mund të përsëritet dot më skema e Ramiz Alisë, që pretendoi zgjedhje “pluraliste” me Partinë e Punës, Frontin Demokratik e Bashkimin e Grave, deri sa studentët, intelektualët dhe qytetarët e Lëvizjes së Dhjetorit e ndalën maskaradën e tij. Shqiptarët e kanë lënë pas diktaturën dhe do dinë të mbrojnë pluralizmin dhe të drejtën e tyre për votë të lirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat